Kosova shpreson për investime amerikane

Agjencia federale e Shteteve të Bashkuara e quajtur Banka për Zhvillim e Amerikës, thotë se po punon me Departamentin e Shtetit dhe Kongresin, mbi strategjinë e përgjithshme të Korporatës amerikane për Zhvillim Financiar Ndërkombëtar (DFC) nën administrimin e presidentit Joe Biden. Diplomatët nga Serbia, Kosova dhe Greqia i thanë Zërit të Amerikës se vendet e tyre shpresojnë për interes të qëndrueshëm amerikan dhe investime në Ballkan dhe në Egje.

David Marchick, Drejtor i Përgjithshëm i Operacioneve të DFC-së, i tha Zërit të Amerikës në një deklaratë me shkrim, se “DFC-ja është e përqendruar fuqimisht në angazhimin tonë. Zyrtarët tanë, ekspertë të financave në Uashington, do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin me zyrtarët e ambasadave dhe partnerët tanë në rajon, për të identifikuar mundësi të reja premtuese investimesh në Ballkan dhe në Egje”.

DFC-ja u themelua falë një ligji dypartiak të nënshkruar nga ish presidenti Donald Trump në tetor të vitit 2018. Më një kapacitet financiar prej 60 miliardë dollarësh, DFC-ja ka për detyrë të mbështesë kapitalin dhe aftësitë e sektorit privat në zhvillimin e vendeve më pak të pasura. Në deklaratën themeluese të agjencisë thuhet se ajo është “e ngarkuar me një rol të rëndësishëm për të ndihmuar përparimin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara duke iu kundërvënë rritjes së ndikimit të regjimeve autoritare”.

Reklama e sponzorizuar

Vëzhguesit vënë në dukje se agjencia mund të funksionojë si krahu strategjik i Amerikës për të kontrolluar investimet dhe ndikimin kinez jashtë shtetit, ndërsa rritë interesat komerciale dhe strategjike të Shteteve të Bashkuara në gjithë botën.

Në shtator të vitit 2020, DFC-ja themeloi zyrën e saj të parë rajonale, në Beograd, kryeqytetin e Serbisë. Zyrtarët amerikanë udhëtuan në Serbi, Kosovë dhe Greqi për të diskutuar mënyrat e bashkëpunimit përmes DFC-së. Ndërrimi i pushtetit në Uashington disa muaj më vonë, raportohet të ketë shkaktuar një shkallë pasigurie në kryeqytetet e Ballkanit dhe Egjeut në lidhje me fatin e projekteve që ishin diskutuar, si dhe drejtimin e përgjithshëm të mbështetjes së qeverisë amerikane për investime në rajon.

Si për të zbutur shqetësimet e tilla, zoti Marchick tha në deklaratën e tij me shkrim për Zërin e Amerikës se “DFC-ja është e angazhuar për të mbështetur investimet në sektorin privat në Serbi, Kosovë dhe më gjerë në rajon. Ne jemi të gatshëm të punojmë me marrëveshjet e ripërtërira të Investimeve të DFC-së me Kosovën dhe Serbinë, për çka mbetemi të përkushtuar dhe vazhdojmë përqendrimin tonë, që zuri fill vitin e kaluar me krijimin e një pranie rajonale të DFC-së” në Beograd.

Duke e cilësuar rajonin një “përparësi thelbësore”, zoti Marchick tha DFC-ja “vazhdon të punojë ngushtë me ambasadat amerikane në Ballkan dhe Egje, veçanërisht me ambasadën në Beograd, për të përzgjedhur personelin në zyrën rajonale të DFC-së ndërsa punojmë me Departamentin e Shtetit dhe Kongresin për strategjinë e përgjithshme të DFC-së dhe burimet për praninë tonë jashtë shtetit “.

“Ne po punojmë për të ndihmuar përballjen me ndikimin e pandemisë së COVID-19 në Ballkan dhe Egje me një përqendrim në ndërtimin e infrastrukturës thelbësore për të mbështetur rritjen ekonomike; zgjerimin e qasjes në energji të ripërtërishme, teknologji dhe kujdes shëndetësor; dhe avancimin e përfshirjes financiare, veçanërisht për bizneset e vogla dhe gratë sipërmarrëse”, theksoi ai.

Për publikun në Ballkan dhe Egje, më shumë DFC, më shumë Amerikë, është një lajm i mirëpritur.

Për Greqinë, DFC-ja është “një mjet shumë i rëndësishëm gjeo-ekonomik dhe gjeostrategjik në një rajon më të gjerë që përfshin Ballkanin dhe Mesdheun Lindor. Ajo mund të dëshmohet shumë e frytshme në promovimin e projekteve kryesore të infrastrukturës, duke përfshirë sigurinë energjetike, burimet e ripërtërishme dhe energjinë e pastër”, i tha Zërit të Amerikës Nikos Papadopulos, shefi i sektorit të diplomacisë publike në ambasadën greke në Uashington.

Valdet Sadiku, i cili arriti një muaj e gjysmë më parë për të udhëhequr misionin diplomatik të Kosovës në Uashington si i ngarkuar me punë, tha se vendi i tij pret të zgjerojë lidhjet me Amerikën “në çdo mënyrë të mundshme”.

“Për ne, kjo është një përparësi” i tha zoti Sadiku Zërit të Amerikës në një intervistë telefonike. Ndonëse zgjedhjet në Kosovë sollën në pushtet një qeveri të re në Prishtinë, zoti Sadiku tha se, “mund t’ju siguroj që asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara në përgjithësi dhe DFC-në në veçanti në këtë rast”.

“Ne duam të nderojmë punën e zotit John Jovanovich (drejtori i parë i zyrës rajonale të DFC-së). Ai ishte me të vërtetë i mrekullueshëm dhe kontribuoi në efektivitetin e kësaj zyre”, tha Marko Gjuriç, ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, në një intervistë me Zërin e Amerikës. “Ne do të bëjmë më të mirën për ta bërë bashkëpunimin tonë me drejtorin e ri edhe më të suksesshëm”, tha ai.

“Dëshira e Serbisë për të krijuar lidhje sa më të forta të mundshme me shtetet e Bashkuara është jopartiake”, theksoi ai. “Ne duam të punojmë shumë intensivisht me administratën e re për të promovuar lidhjet ekonomike”.

“Në fakt, i gjithë rajoni ka qenë i njëzëshëm në mbështetjen e punës së DFC-së”, tha ai. “Ne jemi të etur për të parë DFC-në të angazhohet në sa më shumë projekte konkrete të jetë e mundur”./VOA/