Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së sotme ka marrë vendim që të dërgoj në Kuvendin eKosovës mendimin në lidhje me projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për automjete.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas këtij vendimi ka reaguar duke thënë se ka filluar “fundi i zhvatjes përmes homologimit”.
“12 vjet radhazi kishim monopol në homologimin e automjeteve që pasuronte një oligark duke imponuar barrierë tregtare”, shkruan Kurti.
Ai u shpreh se “Qytetarëve u duhen shërbime të mira e jo detyrime të padrejta”.
“Tash është në duart e deputetëve të Kuvendit të Republikës që ta jetësojnë nismën ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 05/L – 132 për Automjete”, shtoi ai.
Ndryshe, me këtë vendim i është hapur rruga largimit të homologimit si detyrim për veturat që importohen nga vendet e Bashkimi Evropian.
Një vendim tjetër që u mor në mbledhjen e sotme të Qeverisë është edhe themelimi i grupit punues ndërinstitucional për rishikimin e strategjisë së sigurisë së Republikës së Kosovës për vitin 2021-2030”.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, këto vendime krahas atij për lehtësimin e masave antiCovid-19, i vlerësoi si shumë të rëndësishme.