Ministri i Financave dhe i Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se vendimi i djeshëm për pagesën e 11 milionë eurove për rrymën e shpenzuar të serbëve në veri i mundëson KOSTT-it të respektojë marrëveshjen me ENTSO-E dhe në të njëjtën kohë i mundëson Kosovës që ta ruajë pavarësinë e saj energjetike.
Për humbjet në veri, Murati ka bërë përgjegjës vet KEDS/KESCO-n, sepse sipas tij KESCO duhet t’i mbledhë faturat atje dhe tha se për këtë arsye edhe ishte shitur lirë në kohën e privatizimit, pasi kishte humbje të mëdha në rrjet, dhe sipas atyre që e falën, vetëm privatizimi do t’i eliminonte humbjet dhe vjedhjet.
Sipas Muratit, me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje mes KOSTT-ENTSOE, Kosova është pavarësuar energjetikisht dhe se kjo pavarësi nënkupton që tani Kosova duhet të operojë si bllok rregullues bashkë me Shqipërinë dhe t’i mbledhë edhe tarifat për energjinë elektrike që kalon tranzit. Tarifa këto që deri së fundmi i mblidhte Serbia në emër të Kosovës, shtoi tutje ai.
“Vendimi i sotëm i Kuvendit, vetëm i mundëson KOSTT-it të respektojë marrëveshjen me ENTSO-E, dhe Kosovës të ruajë pavarësinë energjetike. A duhet të paguajë KOSTT për rrymën e shpenzuar në veri? Jo nuk do të duhej”, u shpreh Murati me anë të një satusi në facebook.
Gjithashtu ministri Murati, një pjesë të fajit ua dedikoi edhe partive tashmë opozitare, LDK-së dhe PDK-së, pasi sipas tij në kohën e koalicionit të tyre qeveritar, më 2017, bordi i ZRRE-së i zgjedhur pikërisht nga këto dy parti, kishte vendosur që në vend të KEDS-it, barrën e faturave të veriut t’ia vendoste ndërmarrjes publike KOSTT.
“Por ja që bordi i ZRRE-së, në prill të vitit 2017, i përbërë gjysma PDK e gjysma LDK (sipas frymës së marrëveshjes së koalicionit, ku ishte përcaktuar që të gjitha bordet do t’i ndanin përgjysmë), kishte vendosur që në vend të KEDS-it, barrën e veriut t’ia vendosnin ndërmarrjes publike KOSTT. Obligimin për rrymën e veriut, ZRRE-ja e PDK-së dhe LDK-së, e kishte futur në licencën e KOSTT-it”, shkroi Murati.
Ministri Murati tha se pikërisht ata që për 20 vite me radhë barrën e rrymës së shpenzuar në veri, fillimisht e ngarkuan në faturat e qytetarëve, e pastaj në licencën e ndërmarrjes publike KOSTT, sot po shfaqen të brengosur për qytetarin dhe KOSTT-in.
Në anën tjetër, Murati shpjegoi se si bllok rregullues i pavarur, Kosova duhet të mbajë përgjegjësi për kufijtë e vet, dhe të respektojë marrëveshjen me ENTSO-E. Me fjalë tjera, energjia që kalon tranzit nëpër territorin tonë, aq sa hyn në veri, aq duhet të dalë në jug. Përndryshe, sipas Muratit llogaritet shfrytëzim i pa-autorizuar i energjisë, dhe shkilet marrëveshja me ENTSO-E.
“Këtë problem, si shumë probleme tjera që na i kanë lënë do ta zgjidhim, por problemet e lidhura nyje për 20 vite nuk zgjidhen për një muaj. Hapi i parë drejt zgjidhjes së ketij problemi do të jetë përzgjedhja e një bordi të ri të ZRRE-së me anëtarë me integritet, dhe që e duan shtetin”, përfundoi Murati./Buletini Ekonomik/