Lehtësimi që vjen nga heqja e detyrimit të shtetasve shqiptarë për tu pajisur me leje pune në Kosovë

Shtetasit e Shqipërisë që duan të punojnë në Kosovë nuk do të kenë më detyrim për tu pajisjur me leje pune afatshkurtër.

Qeveria e Kosovës, mori vendimin me të cilin shtetasit e Shqipërisë lirohen nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër. Për këtë çështje sot kanë biseduar edhe  kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë takim, Minxhozi falënderoi Kurtin për vendimin që mori Qeveria në mbledhjen e fundit për t’i liruar nga obligimi për pajisje me leje pune afatshkurtër shtetasit e Shqipërisë.

“Ky vendim, i cili është zvarritur për shumë vite nga qeveritë e kaluara, ua lehtëson qytetarëve shqiptarë jashtëzakonisht qëndrimin në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së kryeministrit.

Kurti dhe Minxhozi u dakorduan që duhet vazhduar me shembuj të tjerë të këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen e afërt.

Gjatë ditës se premte Xhelal Svecla, ministër i punëve të brendshme i qeverisë së Kosovës ka  treguar se të gjithë shtetasit e Shqipërisë që duan të punojnë në Kosovë nuk do të kenë më detyrim për pajisjen me leje pune afatshkurtër.

Ky Vendim është në frymën e programeve dhe aspiratave të shprehura të subjekteve politike që fituan zgjedhjet dhe krijuan qeverinë legjitime me mbështetjen e shumicës absolute në 14 shkurt. Është vetëm një hap, por megjithatë i domosdoshëm, drejt realizimit të interesave të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, në kuadër të premtimit tonë për realizimin e përshpejtuar të gjithë marrëveshjeve të lidhura nga qeveritë e mëparshme, të cilat nuk ka asnjë arsye të mbesin vetëm në letër.

Shqipëria prej kohësh e ka zbatuar këtë marrëveshje, në përfitim të shtetasve të Kosovës që punojnë në Shqipëri, ndërsa është turpërues fakti se Kosova nuk e ka zbatuar marrëveshjen dhe nuk e ka lehtësuar veprimtarinë e shtetasve të Shqipërisë në Kosovë.

Po ashtu, Vendimi është në frymën e avancimit të bashkëpunimit ndër-shtetëror dhe ka për qëllim që të lehtësojë mobilitetin në punë, duke thjeshtësuar, brenda autorizimeve ligjore, procedurat administrative në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, për qëllim të qasjes së lirë në tregun e punës nga të gjithë shtetasit tanë, kudo që vendosin të punojnë në të dyja shtetet. Me këtë krijohet një treg më i madh pune, më shumë mundësi dhe lehtësi për punëdhënësit e punëkërkuesit nga Kosova e nga Shqipëria, dhe forcon ekonomitë e shoqëritë tona.