Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar të premten se ka dërguar në Qeveri 12 prona të paluajtshme të konfiskuara nga gjykatat e vendit.
Duke mos treguar për cilat prona bëhet fjalë, Haxhiu në Facebook ka thënë se dërgimi i tyre në qeveri është bërë me qëllimin që të përcaktohen kriteret në bazë të të cilave mund të jepen në shfrytëzim.
“Mbrojtja dhe shfrytëzimi i pronave publike për interes publik është obligim ligjor dhe kushtetues. Ministria e Drejtësisë administron me pronat e konfiskuara nga gjykatat e Republikës së Kosovës. Në kuadër të kompetencave ligjore, kam dërguar 12 prona të paluajtshme në qeveri me qëllim që kjo e fundit t’i përcaktojë kriteret në bazë të cilave mund t’i jap në shfrytëzim”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se “Kjo s’ka ndodhur asnjëherë më parë”.
“Jemi të përkushtuar që pasuria publike të shfrytëzohet vetëm për nevoja publike dhe për interesa të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ajo.