Është lansuar përditësimi i platformës “EDI” të Administratës Tatimore të Kosovës(ATK) për deklarimin dhe pranimin elektronik të pasqyrave financiare nga ana e bizneseve.
Në lansimin e përditësimit të platformës EDI të Administratës Tatimore të Kosovës, u tha se kjo platformë do të shpejtojë dhe lehtësojë kryerjen e shërbimeve, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se kjo platformë shton integritetin e raportimit.
“Përveç digjitalizimit e zvogëlon edhe barrën për Administratën Tatimore, pastaj zvogëlon kohë dhe para, por edhe rrit transparencën dhe mund të bëhen analiza dhe pasqyrime mbi gjendjen biznesore në Kosovë. Dhe krijon një veti të objektivitetit, sepse shton integritetin e raportimit. Pra, si tërësi ky modul është vetëm një hap drejt digjitalizimit në ATK, dhe ne si ministri do ta mbështesim çdo projekt të tillë”, tha ministri Murati.
Ambasadori Gjermani, Joern Rohde tha se ky lansim i kësaj platforme, është një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe një arritje që të mundësojë të rrisë edhe transparencën e institucionit.
“Është një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të deklarimit të taksave. Bizneset e huaja të cilat dëshirojnë të bashkëpunojnë me Kosovën tani përmes këtij programi mund ti marrim informatat më në detaje përmes kësaj qasje”, tha Rohde.