Tendenca për të mbajtur kursimet jashtë bankave është rritur gjatë dekadës së fundit, por fenomeni pësoi zgjerim të mëtejshëm gjatë krizës pandemike me 2020.
Të dhënat nga një anketë e Bankës së Shqipërisë me rreth 1300 individë tregojnë se, në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar nga familjet me kursime, 15 për qind e tyre i mbanin jashtë sistemit bankar. Kjo përqindje erdhi në zbutje në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020 ku 13 % e tyre preferuan ti mbanin jashtë bankave, por gjithsesi fenomeni ka një tendencë rritëse në raport me mesataren e 10 viteve të fundit.
Që nga viti 2012 kur Banka e Shqipërisë nisi të publikonte të dhënat e anketës, vetëm 5 % e familjeve me kursime i mbanin ato jashtë bankave, por tendenca nisi të rritet në vitet në vijim, sidomos pas vitit 2016, ku përqindja e familjeve me kursime jashtë bankave pësoi rritje dyshifrore.
Pandemia Covid -19 e stimuloi edhe më shumë fenomenin, për dy arsye themelore. Qytetarët nga frika e emergjencës pandemike u priren të mbajnë rezerva cash në banesa dhe nga ana tjetër kufizimet në lëvizje penguan veprimet me bankat.
Tendenca për të ruajtur paratë jashtë sistemit bankar erdhi në rritje vitet e fundit edhe si rrjedhojë e interesave të ulëta të depozitave në banka. Një faktor tjetër lidhet me burimet jo të ligjshme me të cilat janë krijuar këto kursime.
Në raport të drejtë me kursimet jashtë bankave erdhi edhe qarkullimi i parave jashtë bankave.
Në fund të vitit 2020, jashtë sistemit bankar qarkullonin 344 miliardë lekë (2.8 miliardë euro). Të dhënat historike tregojnë se në 2020-n, është shënuar rritja më e fortë vjetore, me 53 miliardë lekë, ose +18% .
Në raport me paranë gjithsej, jashtë sistemit bankar qarkullonte në fund të dhjetorit 23.6% e totalit, (nga 22.1% në dhjetor 2019). Ky është niveli më i lartë që nga dhjetori 2008, kur u shënua një valë tërheqjesh të depozitave në atë kohë, si rrjedhojë e frikës së shkaktuar nga kriza financiare globale.
Pasi kishte filluar uljen pas 2009-s, paraja jashtë bankave ka pasur tendencë rritëse që prej vitit 2013 (një tregues indirekt i informalitetit dhe hyrjes së parave të trafiqeve). Por vitin e kaluar rritja ka qenë shumë e fortë, duke përkuar dhe me situatën e shkaktuar në vend nga Koronavirusi. Që nga fundi i shkurtit, përpara se të fillonte pandemia ky tregues është rritur me 55 miliardë lekë (450 milionë euro), ose me 19%.
Niveli i parasë jashtë bankave prej gati 24% të totalit është shumë më i lartë se i mesatares se Bashkimit Europian dhe në rajon. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, niveli i parasë jashtë bankave ishte rreth 9% e totalit. Edhe në rajon ky tregues është më i ulët se 10%./ B.Hoxha