Norvegjia gjobit kompaninë Tesla për zvogëlim të kapaciteteve dhe të shpejtësisë së rimbushjes së baterive të makinave elektrike

Një gjykatë në Norvegji ka shpallur fajtore kompaninë Tesla pasi e njejta ishte akuzuar nga pronarët e makinave elektrike për zvogëlimin e kapaciteteve të baterive dhe të shpejtësisë së rimbushjes së makinave elektrike.

Nga Tesla është kërkuar të paguajë nga 16 mijë dollarë amerikan për secilin blerës të modelit të makinës elektrike ‘S’ të Tesla, që në total mund të sjellë humbje qindra milionëshe për kompaninë, ka thënë Nettavisen.

Pronarët e këtij modeli të makinës Tesla në Norvegji dhe vende tjera në botë kanë akuzuar Tesla për rënie të kapacitetit për 30 milje pasi e fundit kishte përditësuar softuerin e makinës në vitin 2019. Pronarët gjithashtu janë ankuar për zvogëlim të shpejtësisë së rimbushjes së baterive, në stacionet e Tesla për rimbushje të shpejtë (Tesla Supercharger Stations).

Reklama e sponzorizuar

Bëhet fjalë për modelet e vitit 2013-2015 të Tesla.

Disa pronarë të këtij modeli kanë thënë se edhe kapaciteti i baterive i makinave ka rënë për 11 përqind, krahasuar me rëniet e zakonshme dhe të pritura të kapacitetit për shkak të përdorimit.

Të gjitha këto probleme kanë nxitur procese gjyqësore jo vetëm në Norvegji, por edhe në Danimarkë, SHBA dhe vende tjera.

Përfaqësuesit e Tesla nuk kanë marrë pjesë në procedurat ligjore, andaj vendimi nga gjykata në Norvegji ishte shpallur në mungesë të tyre. Sipas vendimit, 30 pronarë që kanë inicuar procese gjyqësore ndaj Tesla do të përfitojnë nga 16 mijë dollarë secili.

Përdorimi i makinave elektrike është trend në rritje në Norvegji. Sipas Nettavisen, mbi 10 mijë persona në Norvegji janë pronarë të modelit ‘problematik’ të Tesla dhe kësisoji, dëmet që duhen paguar nga kjo kompani mund të bëhen edhe më të mëdha, në rast të ankesave të reja gjyqësore të pronarëve./kosovo.energy/