Partitë opozitare kanë kritikuar miratimin e rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku 11 milionë euro do të ndahen nga KOSTT-i për komunat në veri për pagimin e rrymës. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nëpërmjet deklaratave publike kanë thënë se e kundërshtojnë atë, ndërsa e kanë kritikuar Qeverinë se po dëmton buxhetin e shtetit me këtë veprim.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se miratimi i rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi lidhur me kërkesën e KOSTT-it për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës, është në kundërshtim me qeverisjen korporative dhe ligjet në fuqi.
Hamza ka thënë gjatë një konference për media se KOSTT-i është ndërmarrje publike e cila e ka Bordin dhe se sipas tij, Kuvendi nuk ka të drejtë të ndërhyjë në mënaxhimin e saj.
“Sot Kuvendi i Kosovës, përkatësisht partitë politikë që janë në pushtet, kanë përkrahur një kërkesë për pagesën e 11 milionë eurove të shpenzuara në katër komunat veriore të Kosovës, kjo i dëmton qytetrarët sepse sikur të ishte respektuar baza legale atëherë Bordi i KOSTT është dashur ta deklarojë dividentën dhe e njëjta të shkojë në buxhetin e Kosovës dhe është para publike, ne kemi një vendim të gjykatave që qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës nuk është ligjore të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të shpenzuar në veri por po bëhet prapë e njëjta gjë në mënyrë indirekte pasi këto janë para të qytetarëve të Kosovës të cilat duhet të shkojnë në buxhetin e Kosovës”, ka thënë Hamza.
Sipas tij, me paratë e qytetarëve të Kosovës po paguhet energjia elektrike e shpenzuar në veri.
“Vitin e kaluar janë paguar 10 milionë tash po ndahen edhe 11 milionë, në kundërsahtim me qeverisjen korporativem në kundërshtim me legjislacioni në fuqi”, ka thënë Hamza.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, përmes një statusi në Facebook ka kritikuar këtë vendim të Kuvendit sot, duke thënë se ata që dikur kritikonin këto veprime sa ishin në opozitë, sot bënë të njëjtën gjë duke qenë në pozitë.
“Dikur çirreshin dhe mallkonin nga Kuvendi i Republikës dhe studiot televizive, qe te mos paguheshin faturat për energjinë elektrike te shpenzuar nga Serbet ne veri. Sot, partia e Albin Kurtit se bashku me Listën Serbe votuan qe nga buxheti i shtetit te paguhen faturat e energjisë se shpenzuar nga Serbet ne veri! Ku mbeten çirrjet, ku mbeten mallkimet, ku mbet konsistenca?!”, ka thënë Gashi.
Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se Qeveria po shantazhohet nga serbët dhe se me këtë vendim, po shkaktohet dëm në buxhet.
“Është tepër e habitshme që edhe pas pavarësimit energjetik, Qeveria po shantazhohet nga serbët. Përpos dëmit financiar në buxhetin e vendit, nga ky veprim po krijohet një sërë dëmesh zinxhirore. Me këtë vendim, qeveria Kurti po pajtohet se nuk ka potencial të ndëshkojë shkelësit e ligjit që keqpërdorin rrymën”, ka thënë ai.
Lekaj ka thënë se atë që për 20 vite e ka trumbetuar Vetëvendosja kundër qeverive, tash po e bën vetë me vendimin për 11 milionë eurot nga KOSTT-i për komunat në veri për pagesën e rrymës.
“Qeveria e ka goditur qytetarin e Kosovës dhe kjo është e padrejtë sepse po diskriminohen shumica e qytetarëve që kanë qenë të ndërgjegjshëm që ta bëjnë me rregull pagesën e rrymës”, ka thënë Lekaj.
Me 61 vota pro sot kanë kaluar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.
Bëhet fjalë për 11 milionë euro të cilat do të ndahen nga KOSTT-i për komunat në veri për pagesën e rrymës. Kjo është bërë me propozim të shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila që KOSTT-i të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm në mënyrë që të mos obligohet Qeveria.