Pasi Zvicra hoqi Kosovën nga lista e karantinës, ka nisur të rritet fluksi i fluturimeve me bashkatdhetarë që vijnë në vendlindje. Për dhjetë ditë, deri këtë të premte, mbi gjysma e të gjitha fluturimeve kanë qenë nga Zvicra. Zyrtarët e Aeroportit të Prishtinës thonë se sa i përket respektimit të masave kundër pandemisë nuk ka pasur ndonjë problem gjatë hyrje-daljeve të udhëtarëve.
Pas një viti, familjarët ka pasur mundësi t’i shohë nga afër për disa ditë edhe Isen Bajramaj, i cili tani po kthehet për në Zvicër.
Thotë se ka respektuar maksimalisht masat kundër koronavirusit.
Lajmin për të udhëtuar pa pengesa në vendlindje thotë se e ka pritur gjatë edhe një tjetër mërgimtar.
“Duhet me ardhë me i ndihmu vendit në këtë kohë”, thotë Fatmir Morina.
Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, thotë se nga 4 maji e deri të premten janë realizuar 149 fluturime, 70 prej të cilave kanë qenë nga Zvicra.
“Sa i përket respektimit të masave kundër COVID-19 nuk ka pasur ndonjë problem gjatë hyrjeve dhe daljeve të udhëtarëve”, ka deklaruar ajo.
Pas heqjes së detyrimit për t’u karantinuar, mbetet në fuqi paraqitja e testit PCR me rezultat negativ, të bërë brenda 72 orëve para hyrjes në territorin zviceran.