Më shumë se një dekadë kanë pritur punëtorët e disa ish-ndërmarrjeve shoqërore për t’i marrë paratë e 20 përqindëshit. Madje, ka raste kur ndërmarrja është privatizuar, ndërsa shumë punëtorë kanë vdekur dhe nuk kanë arritur t’i marrin paratë që u takonin me Ligj.
Ka lobuar një kohë të gjatë për të drejtat e punëtorëve. Është marrë me lloj-lloj rasti të shkeljes së drejtave të tyre. Megjithatë, një i tillë i është ngulitur përjetësisht në mendje kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini. Ka të bëjë me një ish-punëtor të njërës prej ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, që i kishte shkuar në zyrë kryesindikalistit të Kosovës për të kërkuar të drejtën e tij: ndarjen e 20 %-shit që u takon me Ligj punëtorëve nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Meqë fabrika ku punonte u privatizua, ai kërkonte pjesën e vet nga 20 përqindëshi.
Por, këtë të drejtë ligjore nuk e gëzoi kurrë. Derisa po e jepte nënshkrimin e tij për t’i marrë përfundimisht paratë që i takonin nga privatizimi i ndërmarrjes, pas një dekade pritjeje, punëtori vdiq para syve të Ajdinit!
“Rasti më i rëndë ka qenë kur në zyrën time ka vdekur punëtori, duke i plotësuar listat e 20%-shit, vetëm disa ditë para se t’i merrte paratë që i takojnë, përderisa ka pritur dhjetë vjet me i marrë të njëjtat”, u shpreh Ajdini.
Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë ka filluar në vitin 2003, nga administrata e UNMIK-ut në atë kohë. Fillimisht ky proces administrohej nga ish-Agjencioni Kosovar i Privatizimit(AKM), që u pasua në vitin 2008 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit(AKP), pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, po atë vit.
Kur kishte filluar procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, UNMIK-u kishte miratuar një Rregullore (2003/13), sipas së cilës çdo punëtor ka të drejtë të marrë pjesë në 20 përqindëshin e të hyrave nga shitja nëse ai/ajo ka qenë i evidentuar si punëtor i ndërmarrjes shoqërore në kohën e privatizimit ose likuidimit dhe ka qenë në listën e pagave të ndërmarrjes të paktën për tri vjet. Me një Rregullore të tillë vepron ende edhe AKP-ja.
Përgjatë periudhës 18-vjeçare, prej kohës kur ka filluar procesi i privatizimit në Kosovë e deri më tani, numri i përgjithshëm i punëtorëve që janë kualifikuar për ta përfituar 20 përqindëshin nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore ka arritur në 50334. Mbi 50 mijë punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara u janë shpërndarë rreth 150 milionë euro në emër të pjesës që u takojnë, nga mbi 750 milionë euro sa ka grumbulluar gjithsej AKP-ja nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore e deri në fund të vitit 2020.
Ish-punëtorët e “Amortizatorëve”, gati një dekadë pritje për mjetet e 20 përqindëshit
Fatin e keq si të punëtorit të lartpërmendur, i cili vdiq ende pa i marrë paratë e 20 përqindëshit, e kanë pasur edhe disa punëtorë të ndërmarrjeve tjera shoqërore tashmë të privatizuara. Si puna e atyre të ish-ndërmarrjes “Amortizatorët” në Prishtinë, në emër të të cilëve flet përfaqësuesi aktual i tyre, Ramadan Ahmeti. Gishtat e dorës s`i mjaftojnë për t`i numëruar kolegët e tij që kanë vdekur pa e marrë shumën që u takonte, disa vjet pas privatizimit të ndërmarrjes. Janë shumë, plot 160.
Fabrika e Amortizatorëve në Prishtinë në të kaluarën ka prodhuar sasi të mëdha të amortizatorëve, ka pasur edhe destinim ushtarak në ish-Jugosllavi. Si e tillë, në mjaft raste kishte prodhuar armatim edhe për shtete të tjera.
“160 kolegë na kanë vdekë prej kohës kur u privatizua ndërmarrja, që nuk kanë arritur me marrë as pjesën e parë të 20 përqindëshit. E as të dytën”, tregoi Ahmeti.
Disa shokë të tyre, që patën “ymër” më të gjatë, ia dolën të përfitojnë diçka nga 20 përqindëshi. Jo gjithë shumën, por, pjesën e parë, të paktën atë. Nga 1200 euro për secilin, pas 7 vjetëve pritjeje.
“Pjesën e parë të 20%–shit nga privatizimi i ndërmarrjes e kanë marrë punëtorët, përkatësisht 628 mijë euro. E pjesa e dytë prej 825 mijë euro është ende pa u marrë. 496 punëtorë kemi qenë të rregullt. Tash masi për pjesën i dytë kanë futur edhe 300 punëtorë serbë do të na bie më pak. Diku nga 300-400 euro për punëtorë”, deklaroi Ahmeti.
Zyrtarë të AKP-së kanë bërë të ditur se nga mbi 50 mijë punëtorë sa i kanë marrë paratë nga 20%-shi e privatizimit të ndërmarrjeve, 78 për qind janë pjesëtarë të komunitetit shumicë (shqiptarë) dhe 22 përqind pjesëtarë të komuniteteve tjera (serbë, malazezë, etj).
Të “zhytur” në varfëri, punëtorët që kanë vështirësi ta sigurojnë bukën e gojës
Vonesa e shpërndarjes së 20 %-shit dhe largimi nga puna ua kanë vështirësuar jetën ish-punëtorëve të “Amortizatorëve”.
Gjendja e tyre financiare s`është hiç e mirë. Siç tregon Ahmeti, disa nga ta hjekin për një kafshatë bukë. E ka edhe të tjerë që e sigurojnë këtë produkt bazik për jetesë në forma të ndryshme, e për së tepërmi të rënda.
“Shumë nga kolegët tanë ballafaqohen me varfëri të madhe. Mbledhin kanaçe, në mënyrë që t’ua çojnë fëmijëve një bukë te shtëpia. Dikush e merr një pension të vogël. Dikush s`merr hiç. Skamje, mjerim. Ky kolegu im i ka tre fëmijë, nuk ka sen para shpirtit. Nuk kujdesen kurrë institucionet e shtetit për të. Shoqnia ia japin nga 10 ose 20 cent për një bukë”, rrëfeu Ahmeti.
“Shokun” social sadopak do të mund t`ua lehtësonte alokimi i pjesës së dytë të 20%-shit që u takon. E kjo nuk dihet se kur do të ndodh.
Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit thonë se i gjithë procesi i shpërndarjes së pjesës së dytë për ish-punëtorët e “Amortizatorëve” është pezulluar. Shkak për këtë është bërë kundërshtimi i ish-punëtorëve për shitjen e ndërmarrjes, të cilët i janë drejtuar Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.
“Ish-punëtorët e ndërmarrjes e kanë kundërshtuar vendimin e shitjes në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe në këtë rast kanë kërkuar nga Gjykata masë të përkohshme ndaj çdo veprimi për ndërmarrjen në fjalë. Deri në përfundim të vendimit të Dhomës, Agjencia nuk ka pasur të drejtë të ndërmarr asnjë veprim sa i përket shpërndarjes së mjeteve të 20% për ndërmarrjen Amortizatorët në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme (DHPGJS) s`ka dhënë një përgjigje se kur do të përfundojë ky proces. Thjesht e ka bërë të ditur numrin e ankesave në përgjithësi lidhur me këtë ndërmarrje.
“Në lidhje me NSH “Amortizatorët”, ankesat e pranuara në DHPGJS-së janë gjithsej 520, në procedurë dhe trajtim janë 222, kurse te lëndët e përfunduara janë 298. Në Lidhje me NSH ”Amortizatorët” në vitin 2019, në lidhje me drejtimin në kompensim 20%–shit, kishte gjithsej 519 ankesa”, thuhet në përgjigjen e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Premtime me bollëk mori kryesindikalisti i “Amortizatorëve”, Ahmeti, sa herë që shkoi për të trokitur për ndihmë tek kjo “derë”.
“Kam qenë te kryetari i Gjykatës disa herë. Na ka thanë ka mu bo mirë. Ka mu bo mirë. Ka me u kujdes. Ka me iu ndihmue. Po kemi ngarkesë”, pohon Ahmeti.
Ai tregon se kanë protestuar dy herë për mospagesën e 20 %-shit, por pa efekt.
Shpërndarja e 20 përqindëshit nga privatizimi, më shumë përfituan meshkujt sesa femrat
Nga 50334 punëtorë të ish-ndërmarrjeve shoqërore që i kanë marrë mjetet e 20%-shit nga privatizimi i ndërmarrjeve të tyre, shumica janë burra.
Sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nga numri i përgjithshëm i përfituesve të sipërpërmendur, 39 mijë e 147 janë burra, ndërsa 11 mijë e 187 janë gra. Njëra nga këto të fundit është edhe Ajshe Shehu. Ajo ka punuar në fabrikën e “Amortizatorëve” para edhe pasluftës. Një herë ka dhënë kontributin e saj në prodhim, më vonë është marrë me llogaritjen e normës dhe mëditjet e punëtorëve. Ka arkëtuar një hise të 20%-shit, ashtu si kolegët e saj burra. Është në pritje të pjesës tjetër. Largimin nga puna ku derdhi mund, e krahason me vdekjen.
“Për mua ka qenë e rëndë, si vdekje, kur me kanë thanë nuk mundesh me hi, sepse fabrika është shitur. Me kanë larguar me roje, sepse s`kam pranuar me lënë punën. Si nënë, si grua, jam ndier keq. E diskriminuar”, tregon ajo.
Për vete thotë se kushtet nuk i ka të këqija sepse e mbajnë fëmijët. E pranon se po të mos ishin ata vështirë do t’ia dilte të mbetej gjallë.
“Ka dashtë fati pas lufte, kanë punu edhe fëmija, u ngjallëm pak. Mos me kanë ata vallahi për me jetu ishte dashtë me shitë shtëpi e tokë”, tha Ajshja.
Prej pasluftës afërsisht 20 gra kanë punuar në fabrikën e “Amortizatorëve”.
Gati 10 vjet pritën për mjetet e 20 përqindëshit edhe ish-punëtorët e “IMN Kosova”
Hiç më pak se një dekadë kanë pritur për t’i marrë paratë e 20%-shit edhe punëtorët e Tjegullores “IMN Kosova” në Prishtinë. Kjo e fundit, përkundër se ishte ndërmarrje shoqërore dhe ishte në listë për privatizim nga AKP-ja, asnjëherë nuk iu nënshtrua një procesi të tillë. Kjo për faktin se Komuna e Prishtinës në vitin 2010, në kohën kur udhëhiqej nga Isa Mustafa, kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës, e cila në atë kohë udhëhiqej nga kryeministri Hashim Thaçi, të shpallej Zonë e Veçantë Kadastrale, ku planifikohej të realizoheshin investime kapitale.
Fjalën përfundimtare për këtë transferim të pronës nga pushteti qendror tek ai lokal e dha Kuvendi i Kosovës më 10 korrik 2010, përderisa më 4 shkurt të 2011-s, Agjencia Kosovare e Privatizimit, pati njoftuar se heq dorë nga administrimi i ndërmarrjes “IMN Kosova”.
Megjithatë, ky transferim i pronës nga AKP-ja te Komuna e Prishtinës nuk i privonte punëtorët e ndërmarrjes që t’i merrnin paratë e 20 përqindëshit, me ç’rast kompensimin e caktuar financiar të punëtorëve do ta bënte Komuna më e madhe në Kosovës, Prishtina.
Edhe në fabrikën “IMN Kosova”, gratë, dhanë kontributin e tyre. Janë 5 sosh. Kimetja është njëra nga ato që punoi në këtë ndërmarrje, e cila nga viti 2010 me vendim të Qeverisë i është dhënë Komunës së Prishtinës. Ajo fillimisht ishte arkëtare, e pastaj udhëheqëse e financave.
Largimi nga puna ia vështirësoi jetesën. Ishte krejt pa të ardhura, derisa ia qitën 24 mijë euro në konton e saj bankare. Ishte kjo pjesa e parë e 20 %-shit që i takonte. I dolën pas afro gati një dekade. Për pjesën tjetër do t`i duhet të presë ende.
“Vetëm një pjesë e kemi marrë. Po të mos më ndihmonte një djalë unë as bukë nuk kisha mundur me hangër”, deklaroi ajo.
RrGK: Nga humbja e vendeve të punës më së shumti dëmtohen gratë
Adelina Tërshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës, humbjen e vendit të punës të një gruaje e konsideron si humbje të pavarësisë së saj financiare.
“Duke marrë parasysh të gjitha sfidat patriarkale nëpër të cilat duhet të kalojë një grua për të siguruar një vend pune në Kosovë, humbja e vendit të punës është një ndër diskriminimet më të shpeshta gjinore sepse largimi nga vendi i punës është dukuri e cila më se shpeshti i prekë gratë”, vlerësoi Tërshani.
Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore është 14.4 %. Kështu tregon anketa e fundit e realizuar më 2020 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Ajo e burrave shumëfish më e lartë, 44.0 %.
Që kjo dukuri të ndryshojë Tërshani ka disa rekomandime, zbatimin e të cilave e kërkon nga mekanizmat institucionalë.
“Të trajtohen me seriozitet dhe të promovohet më shumë raportimi i rasteve të diskriminimit gjinor në tregun e punës nga të gjitha institucionet relevante. Rritja e numrit të inspektorëve dhe gjykatësve, si dhe profilizimi i tyre, e mundëson trajtimin me prioritet të kontesteve të punës, ashtu siç e përcakton ligji në Kosovë”, deklaroi Tërshani.
Varfëria “mbulon” punëtorët e ish-ndërmarrjeve shoqërore
Në ndërmarrjen “IMN Kosova” më shumë kanë dominuar burrat sesa gratë.
Emin Neziri e ka rastin identik si kolegia e tij, Ajshja.
Veçse gjendja e tij financiare ishte tepër më e rëndë, aq sa në disa raste iu desh t`u kërkonte të holla shokëve të vet. I duheshin për blerjen e ca produkteve, gjëra elementare për jetesë.
Emin Neziri, përfaqësues i punëtorëve “IMN KOSOVA”
“Gjendje më të vështirë nuk ka pasë. Për veti po të kallxoj kam qenë nifar shefi atë kohë, gjendja e dinë ky shoku, i kom lyp nga 20 euro, nga 5 euro. Për idare se nuk kemi pasë as për bukë as për sen. Njëjtë u kanë edhe situata e punëtorëve tjerë”, rrëfeu Neziri.
Varfërimin ia shkaktuan dy gjëra. Së pari largimi nga puna. Së dyti, vonesa e 20 %-shit.
Një pjesë të këtyre të fundit tashmë e ka marrë, tjetrën ende jo.
Para se ta merrte pjesën e parë thotë se nuk la institucion pa shkuar. Madje në disa raste organizoi edhe protesta.
“Tri vjet kam vrapuar në çdo institucion. I kemi bërë 6 protesta para Komunës së Prishtinës. Protestonim nga 110 veta. Në Komunë na thojshin shkoni në AKP. AKP-ja jo shkoni në Qeveri. Njëherë në ekzekutiv as që na pritshin. Ma vonë po”, tregon Neziri.
Prona e Tjegullores “IMN Kosova”, e cila ndodhet në qendër të Prishtinës, u vlerësua 23 milionë euro. Komuna e Prishtinës, pasi kërkesa e saj për t’u shpallur zonë e veçantë u miratua në Kuvend, nuk ia pagoi këtë shumë AKP-së, por vetëm 20 përqindëshin e saj për punëtorët. Nga 23 milionë euro sa u vlerësua prona e ndërmarrjes, 4.6 milionë euro u takonin punëtorëve. Por, pas më shumë se një dekade, Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti ua ka transferuar punëtorëve të Tjegullores vetëm 2.4 milionë euro, ndërsa 2.2 milionë nuk u janë shpërndarë ende.
Në pritje të pjesës së tij, asaj të dytës, është edhe Ferki Maxhuni, dikur menaxher në fabrikë.
Ferki Maxhuni, ish-menaxher në ndërmarrjen “IMN Kosova”
Ky tregon se përfitues të 20 përqindëshit kanë qenë 113 punëtorë nga 278 aplikantë. Ai e bën të ditur arsyen e ngecjes së pagesave.
“Pjesën e parë e kanë transferuar në vitin 2019, pas 9 vjet pritjeje. Pjesa tjetër ka mbetur pa u paguar kinse janë ankuar disa punëtorë që nuk e kanë fituar të drejtën. Ankesë kanë bërë 59 punëtorë. AKP-ja me arsye i ka ndalu deri sa të ndalen procedurat gjyqësore”, shpjegon ai.
Ankesat e punëtorëve tek “IMN Kosova” i konfirmon Dhoma e Posaçme. Thotë se janë 60 të tilla që kanë të bëjnë me shpërndarjen e 20 %-shit.
“Në lidhje me Ndërmarrjen Shoqërore IMN “Kosova”, në procedurë gjyqësore janë gjithsej 111 lëndë që kanë të bëjnë me natyrën e Likuidimit, ndërsa sa i përket shpërndarjes së 20%-shit, në lëndën C-II-20-0011-C0001, përfshihen 60 ankues”, thuhet në përgjigjen e DHPS.
Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit thanë se mjetet e dedikuara për punonjësit përfitues nuk do të mund të preken derisa Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të japë verdiktin e saj për këto ankesa.
“Deri më tani kemi vetëm një shpërndarje të 20%–shit për punëtoret e kualifikuar, mjetet tjera të dedikuar për ish-punëtoret e ish-ndërmarrjes ruhen deri në vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e punëtorëve”, thanë nga AKP-ja.
Se kur do të ndodh një e tillë nga kjo Dhomë u përgjigjën kështu:
“Lëndët në Dhomën e Posaçme trajtohen sipas prioritetit dhe sipas viteve”.
Deri më tani në këtë Dhomë, nga ish-punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, janë pranuar 10.965 ankesa.
Ndër to, 1.339 sosh që lidhen me marrëdhënien e punës, kompensim dëmi për shkak të lëndimeve në punë, apo kompensim dëmi për shkak të sëmundjeve të fituara në vend të punës.
Maxhuni: Po të funksionalizohej Tjegullorja, Kosova s’do të importonte nga rajoni
Ish-menaxheri në Tjegullore, Ferki Maxhuni, thotë se Komuna e Prishtinës, aty ku ai kaloi disa vjet të mira pune, e ka pasur në plan që ta ndërtojë një Qendër Tregtare. Të pyetur për këtë dhe planet tjera, nga pushteti lokal kryeqytetas, as pas dy javë pritjeje nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Maxhuni flet për “namin” që e kishte dikur ndërmarrja.
“Treg fabrika ka pasur shumë. S`kena mujt me prodhu sa kemi pasur kërkesa në treg. Fabrika u gjet në gjendje të rregullt paslufte. S`kemi pasur kapital. Shteti nuk na ka ndihmuar. Me 500 mijë marka gjermane inevstime pasluftës kjo kishte lulëzuar. Serbia asnjë bllok nuk ta kish fut këtu”, shprehet i bindur ish-menaxheri i Tjegullores “IMN Kosova”.
Si rrjedh procesi i 20 %-shit për ish-punonjësit?
Privatizimi në Kosovë ka nisur rreth 18 vjet më parë.
Por, si rrjedh procesi i 20 %-shit që përfshihet në kuadër të tij?
Te të gjitha ndërmarrjet procesi i krijimit të listës fillestare dhe finale zgjatë deri në 6 muaj, thonë nga AKP-ja.
Sipas tyre, kjo ndodh për një arsye.
“Fillimisht bëhet njoftimi për Ndërmarrjen në fjalë që ish punëtorët të aplikojnë dhe të dorëzojnë dokumentacionet e nevojshme për të drejtën e përfitimit të 20%-shit, ku afati për dorëzim pas njoftimit është 30 ditë, pastaj shqyrtimi i dokumentacionit përkatës në bazë të rregulloreve dhe ligjeve në fuqi, duhet të shqyrtohen brenda afatit 30 ditësh”, thuhet nga ta.
Pas këtyre procedurave vijojnë edhe disa të tjera.
“Më pastaj publikohet lista fillestare në gazetat vendore dhe rajonale, ku presim kundërshtimet e mundshme ndaj asaj listës, disa nuk janë kualifikuar, disa i kundërshtojnë emrat që gjinden në listë, pas përfundimit të afatit mbi ankimimin e listës fillestare, ne pranojmë të gjitha ankesat ndaj listës fillestare dhe me pastaj shqyrtohen nga ne në afat prej 60 ditësh”.
Pas kësaj publikohet lista finale që merr aprovimin në Bordin e Drejtoreve të Agjencisë. Megjithatë, procesi nuk mbaron me kaq.
Meqë palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme. Sidoqoftë, kjo sipas AKP-së, nuk u shkakton problem të aprovuarve në listën finale.
“Ne bëjmë kërkesë në Dhomën e Posaçme të njoftohemi vetëm për numrin e ankueseve në mënyrë që të ndalojmë pjesën e mjeteve për të ankuarit dhe të bëjmë shpërndarjen për të aprovuarit në Listën finale”, thanë nga AKP.
Punëtorët nuk janë parë si palë me prioritet gjatë procesit të privatizimit
Procesi disa herë është përcjellë me parregullsi të shumta. E krejt këto kanë qenë nën “llupën” e gazetarëve.
Dy nga to që raportuan që nga fillimi për këtë proces janë Arbana Xharra dhe Serbeze Haxhiaj, të cilat hedhin kritika të ashpra.
Xharra konsideron se procesi i privatizimit nuk i ka trajtuar fare me prioritet punëtorët.
“Institucionet nuk janë kujdesur që të ketë proces të suksesshëm të privatizimit dhe çështja e punëtorëve nuk ka qenë aspak me prioritet. Jo vetëm që kanë mbetur pa punë, ata nuk janë kompensuar, madje kontributi i tyre me dekada as që është shënuar që në ndonjë rishqyrtim të procesit të paktën të ketë një mundësi të dytë”, deklaroi Xharra, e cila kur filloi procesi i privatizimit punonte gazetare e ekonomisë në gazetën “Koha Ditore”.
Të njëjtën e thotë edhe Haxhiaj.
Ajo assesi nuk pajtohet me skemën e privatizimit, që sipas saj, nuk i ka mbrojtur aspak punëtorët.
“Ata që për një dekadë gjatë viteve të 90-ta kanë vuajtur largimin nga puna dhe diskriminimin mbi baza etnike, pas luftës kanë qenë pre e privatizimeve të kurdisura dhe humbjes së sërishme të punës. Ata kanë qenë viktima të humbjes së punës, pagesave dhe vlerësimeve selektive të hises që është dashur të marrin nga 20%-shi i privatizimit”, theksoi Haxhiaj.
I të njëjtit mendim është edhe Avni Ajdini, kryetar i BSPK-së. Ky vlerëson se të drejtat e punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore janë shkelur me “dy këmbë”.
Fajin ia hedh Qeverisë e cila sipas tij, nuk është përkujdesur aspak për këtë kategori.
“Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk e ka bërë një plan se si ta ruajë mirëqenien sociale të këtyre punëtorëve, të cilët kanë punuar gjatë gjithë jetës së tyre në ndërmarrje, apo edhe i kanë lënë gjymtyrët e trupit aty”, u shpreh ai.
Ajdini thotë se neglizhenca e tillë shtetërore ua ka bërë më të mjerueshme gjendjen sociale punëtorëve të ish-fabrikave shoqërore.
“Gjendja sociale e ish-punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore është e mjerueshme, pasi që të njëjtët kur është privatizuar ndërmarrja kanë qenë në moshë të shtyrë dhe blerësit e rinj nuk i kanë marrë në punë, shumë punëtorë kanë mbetur pa punë për shkak të zhvillimeve të teknologjisë”, pohoi ai.
Përfituesit e 20%-shit nëpër regjione, prin ai i Prishtinës.
AKP-ja i ka ndarë përfituesit e 20 përqindëshit në 5 regjione të Kosovës.
Shuma e përgjithshme e përfituar nga punëtorët e 20%-shit deri në fund të vitit 2020 është 149 milionë e 851 mijë e 558 euro.
“Kulaçi” më i madh monetar është ndarë për 13 mijë e 223 punonjësit e regjionit të Prishtinës, gjithsej 63 milionë e 690 mijë e 493 euro.
Gati përgjysmë më pak, 32 milionë e 92 mijë e 356 euro për 12 mijë e 277 punonjësit e rajonit të Gjilanit. Mbi 25 milionë euro për 9 mijë e 507 punëtorët e regjionit të Pejës. Katër milionë më pak, 21 milionë e 175 mijë e 320 euro për 10 mijë e 916 punonjësit e rajonit të Prizrenit.
Krejt në fund vijnë punëtorët e regjionit të Mitrovicës. Për 4 mijë e 411 sa edhe janë, u ndanë 7 milionë e 879 mijë e 734 euro.
Këtu hyjnë edhe punëtorët e fabrikës “Llamkosi” në Vushtrri.
“Fat në fatkeqësi”, ish-punëtorët e “Llamkosit” pritën 1 vit për mjetet që u takojnë me ligj
Edhe punëtorëve të fabrikës “Llamkosi” në Vushtrri u ra të presin për të hollat e 20 %-shit. Jo shumë, afërsisht 1 vjet.
Pagesat ndaj tyre nuk u neglizhuan shumë dhe dolën pothuajse menjëherë.
Të gjithë punëtorët e ndërmarrjes patën rastin t`i tërheqin ato në vitin 2006.
Përfaqësuesi i tyre, Enver Jusufi thotë se asnjëri nga ta nuk vdiq pa i marrë paratë.
“Ne gati menjëherë i kemi marrë mjetet. Krejt punëtorët, askush nuk ka vdekur. 347 veta po i bjen. Të gjitha mjetet na kanë dalë në llogari. Nga 1500 euro për punëtorë na kanë ra”, theksoi ai.
Enver Jusufi, përfaqësues i punëtorëve të ndërmarrjes “Llamkos” në Vushtrri
Ish-punonjësit e Fabrikës së “Llamkosit”, e patën fatin e njëjtë si të kolegëve të tyre që punuan në fabrika të tjera shtetërore.
Varfëria e mjerimi i preku edhe ata, s`i shpëtuan dot. Sindikalisti Jusufi që flet në emër të tyre përmend shembuj të disa prej punëtorëve që janë në gjendje të vështirë financiare.
“Hjekin për të gjitha. Nuk munden me punu. E kanë ba moshën. S`i merr ma kërkush me punu. Dy punëtorë i kanë punët ligisht. Hjekin edhe për ushqim”, thotë Jusufi.
Fabrika e Llamkosit dikur prodhonte rreth 120 mijë tonë llamarinë në vit dhe në të punonin 500 punëtorë.
Fabrika ka në pronësi rreth 18 hektarë tokë, ndërtesa, linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje. Ajo nuk ka pasur një privatizim të suksesshëm duke u ritenderuar disa herë.
Së fundmi në 2019, i është shitur kompanisë “Emona” për një çmim prej 4.8 milionë euro.
Privatizimi në Kosovë, dështim
Rezultatet e privatizimit në Kosovë nuk janë ato që janë pritur.
Është e theksuar mungesa e investimeve dhe mos hapja e vendeve të punës.
Këto i di mirë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. Ai e ka identifikuar edhe shkaktarin kryesor.
“Ka ndodh transformimi i pronës. Më me rëndësi ka qenë transformimi i pronës si qëllim sesa zhvillimi ekonomik. Në mendje ka qenë që të mbrohen pronat nga çfarëdo lloj pretendimi i Serbisë për pronat që janë në territorin e Kosovës. Kemi pasë pritje për rritjen e prodhimit dhe vendet e punës. Por, konflikti mes dy koncepteve e ka kriju këtë gjendje që të mos i kemi rezultatet e pritura nga privatizimi”, theksoi ai.
Të egër procesin e privatizimit e quan Avni Ajdini nga BSPK-ja. Institucionet kosovare, siç mendon ai, nuk kanë bërë ndonjë analizë të detajuar për procesin e privatizimit.
“Ka ndodhur një proces i “egër i privatizimit”, ku ndërmarrjet shoqërore që kanë prodhuar para luftës, madje siç thotë ai, që kanë qenë “gjigante të prodhimit” janë shndërruar në depo të ndryshme tregtare, apo në salla të dasmave, ndërsa ish-punëtorët kanë mbetur rrugëve”, u shpreh Ajdini.
Se privatizimi nuk ka pasur ndonjë ndikim domethënës në prodhim e thotë edhe gazetarja hulumtuese, Serbeze Haxhiaj.
“Çështja e privatizimit nuk i është nënshtruar asnjëherë ndonjë procesi rishikues për të parë efektin e procesit në aspektin ekonomik të vendit. Gjithashtu, këtij procesi i nevojitet një hetim më i thellë për të hedhur dritë mbi abuzimet dhe pasurimin e një grupi politik që duke qenë në pushtet ka ushtruar kontroll të plotë në këtë proces”, theksoi ajo.
Kritika ka edhe Arbana Xharra.
Ajo e quan të dështuar procesin e privatizimit, meqë sipas saj Kosova nuk ka përfituar ekonomikisht nga ai e i njëjti as nuk ka ndikuar në hapjen e vendeve të reja të punës.
“Ky proces me shumë pak përjashtime është i dështuar sepse ekonomikisht Kosova nuk ka përfituar. Investime të huaja nuk ka gjeneruar në mënyrë që të ketë ndikim në hapjen e vendeve të reja të punës, duke lënë edhe punëtoret ekzistues në rrugë”, deklaroi ajo.
Përndryshe, nga procesi i privatizimit punëtorët kanë përfituar financiarisht varësisht nga çmimi i shitjes së ndërmarrjes. Sa më shtrenjtë është privatizuar ndërmarrja dhe sa më pak veta kanë qenë në listën e përfituesve, punëtorët kanë përfituar më shumë financiarisht.
Rekordin e përfitimeve financiare e kanë punëtorët e ish-ndërmarrjes “Ratar” në Prishtinë, ku secili punëtor i saj ka përfituar mesatarisht nga 228,423.75 €. Më së paku para nga procesi i privatizimit kanë përfituar punëtorët e ish-ndërmarrjes “Drateks” në Dragash, ku çdo punëtor ka fituar nga 114 €.
“Privatizimi ka qenë si një lloj pushkatimi për punëtorët e ish-ndërmarrjeve shoqërore. Shumë prej tyre kanë mbetur pa punë në moshën më të keqe, rreth 60 vjeçare, ndërsa ka munguar mbështetja institucionale ndaj tyre, sepse në atë moshë nuk kanë qenë në gjendje të punojnë e as nuk i kanë mbushur vitet për pensionim”, shprehet përfaqësuesi i gjithë punëtorëve të Kosovës, Avni Ajdini.
(Hulumtimi dhe publikimi i këtij dokumenti është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida). Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e gazetarëve dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF-së, SDC-së apo Sida-s).