Punëtorët e ATK-së të enjten nisin me grevë “paralajmëruese”, kërcënojnë me masa radikale

Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) ka njoftuar se të enjten, do të mbajë grevë njëorëshe (10:00 – 11:00), siç është thënë paralajmëruese, duke i ndërprerë shërbimet për tatimpaguesit në të gjithë vendin.

Në njoftimin për media thuhet se arsyeja e kësaj greve vjen si rezultat i mosrealizimit të kërkesave për krijimin e kushteve të punës, pastaj mospërkrahja për propozim-ndryshimin e statusit të ATK-së nga “Agjenci ekzekutive” në “Agjenci me status të veçantë”, për moskompensime të shpenzimeve sipas kërkesave paraprake dhe për mospërfshirje në pakon fiskale gjithë stafin e ATK-së.

“Nga takimi i fundit i kryesisë së SHSPATK-së, i mbajtur më 30.04.2021 me të gjithë përfaqësuesit e regjioneve, u vendos për grevë paralajmëruese, me këtë rast nëse nuk ndërmerret asgjë deri më 27 maj 2021, ftohen institucionet përgjegjëse të reflektojnë edhe t’i hapet rrugë dialogut, përndryshe jemi të detyruar të marrim masa radikale me greve të përgjithshme deri në realizimin e kërkesave tona të ligjshme”, thekson Sindikata e Punëtorëve të ATK-së.

Reklama e sponzorizuar