Koha shtesë e papaguar është rritur, për shkak të pandemisë
Një në dhjetë punonjës thotë se ka bërë më shumë se 20 orë punë falas në javë, sipas një studimi të Institutit të Kërkimeve ADP.
Përqindja është dyfishuar që kur filloi kriza shëndetësore. Për më tepër, punonjësit janë duke punuar mesatarisht 9.2 orë punë të papaguar në javë, nga 7.3 orë vetëm një vit më parë. Instituti i Kërkimeve ADP anketoi më shumë se 32,000 të rritur në moshë pune në 17 shtete, për të vlerësuar situatën e punonjësve përballë pandemisë.
“Menaxherët kanë përgjegjësi të dinë se sa po punojnë punonjësit e tyre”, thotë Kevin Rockmann, profesor menaxhimit në Shkollën e Biznesit të Universitetit George Mason. “Është thjesht e papërgjegjshme të lihet në dorë të punonjësit për t’i thënë menaxherit nëse ka punuar orë shtesë”. Praktika të tilla menaxheriale, thotë ai, mund të kenë pasoja negative sidomos te punonjësit e pambrojtur, siç janë ata nga grupe të nënpërfaqësuara ose me kontrata pune të përkohshme, pasi ata që ndihen të sigurt në pozitat e tyre mund të jenë më të prirë të flasin.
Punonjësit po përballen me këto orë pune shtesë për të kompensuar kolegët që kanë humbur ose lënë punën, ose thjesht për të përballuar ngarkesën shtesë të punës gjatë pandemisë, zbuloi ADP. Amerika e Veriut u përball me rritjen më të konsiderueshme të orëve shtesë të papaguara, mesatarja e punonjësve të saj u përballën me gati nëntë orë punë falas në javë, një rritje prej 125% nga viti në vit. Megjithatë, rajoni Azi-Paqësor, mban vendin e parë, me fuqinë punëtore që mesatarisht ka gati dhjetë orë pune të papaguar çdo javë.
Megjithëse, Kryeekonomistja e ADP, Nela Richardson, shprehet se prirja ka çuar në një rritje dramatike të produktivitetit, ajo nuk heziton të thotë edhe se kjo është absolutisht e paqëndrueshme në planin afatgjatë. Por nuk janë të gjitha lajme të këqija: 68% e punonjësve raportojnë se kanë marrë një rritje page ose një bonus gjatë vitit të kaluar. Në Amerikën e Veriut, kjo ishte e vërtetë për 63% të burrave dhe 51% të grave.
Ata që kanë përfituar nga kjo skemë, si dhe kursimet e mundshme të kostos që lidhen me punën në distancë për gati një vit, mund të mos duan kurrë të kthehen në zyrë, thotë Thomas Malone, profesor në Shkollën e Menaxhimit Sloan në Universitetin e Teknologjisë së Masaçusetsit.
Në një sondazh të fundit të FlexJobs, rreth 38% e të anketuarve vlerësojnë se kanë kursyer të paktën 5,000 dollarë amerikanë duke punuar nga shtëpia vitin e kaluar. Z. Malone thotë që kompanitë duhet të marrin në konsideratë këto kursime kur bëjnë planet e kthimit në zyrë. Ai sugjeron që punëdhënësit t’u japin punonjësve mundësi të shprehen për mënyrën se si ata duan të punojnë.
“Si shoqëri, ne po hasim probleme në përputhjen e pikëpamjeve të ndryshme”, thotë Malone. “Ndoshta gjëja më e zakonshme për të cilën kemi folur është vetëm ana negative e medaljes së pandemisë. Të paktë janë njerëzit që kanë folur edhe për anën pozitive. Mendoj se kjo është një pjesë e rëndësishme e historisë”, përfundon ai. /Forbes/ /Monitor.al/