Qeveria Kurti synon formimin e Gjykatës Administrative dhe asaj të Punës

Për shkak të tejzgjatjes së kontesteve gjyqësore për çështje të punës dhe atyre administrative, Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat po kërkon themelimin e Gjykatës së Punës. Këtë synim e ka edhe Ministria e Drejtësisë si pjesë të reformës administrative. Por, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, formimi i gjykatave të reja nuk përkthehet detyrimisht në efikasitet të zgjidhjes së lëndëve.

400 raste të reja për çështje pune janë iniciuar vetëm gjatë vitit 2020 në Gjykatën Themelore të Prishtinës.Ndërsa nga viti 2019 janë mbi 4000 lëndë të pazgjidhura nga kontestet e punës.

Kjo ka bërë që edhe nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat të kërkojnë themelimin e Gjykatës së Punës.

“Vetëm nga ne, vitin e kaluar ka mbi 400 konteste të cilat janë dorëzuar tek gjykatat përkatëse. Nëse e marrim një afat mesatar për të zgjidhur një lëndë mes punëtorit dhe punëdhënësit, minimumi mund të shkojë në katër vjet, që pas katër vjetësh nuk ka efekt ai vendim i cili mund të nxirret”, ka thënë Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.

Reklama e sponzorizuar

Këtë gjë e ka premtuar edhe Qeveria Kurti II.

Në planprogramin e publikut javën e kaluar, Ministria e Drejtësisë zotohet për reformim të drejtësisë administrative, ku hyn themelimi i Gjykatës së Punës dhe asaj Administrative.

Nga Ministria e Drejtësisë nuk kanë dhënë detaje se si do të planifikohet themelimi i këtyre gjykatave, porse fillimisht do të bëhet një analizë për gjendjen e lëndëve administrative dhe ato të punës.

“Në programin tonë qeverisës në mandatin katërvjeçar, do të punohet në themelimin e Gjykatës Administrative dhe asaj të Punës. Do të punohet fillimisht në analizën e detajuar me gjendjen në lëndët administrative dhe të punës, kapacitetet profesionale e njerëzore dhe çështje të tjera, për t’i hapur rrugë me pas themelimit të tyre. Kjo do t’i ndihmonte sistemit të drejtësisë në trajtimin më efikas dhe profesional të lëndëve të kësaj natyre”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Ndërkaq, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi është skeptik për efikasitetin që do të prodhonte themelimi i këtyre institucioneve të drejtësisë.

“Në vitin 2013 ishte formuar mu për këtë Departamenti Administrativ në Gjykatën Themelore të Prishtinës, flas sa u përket çështjeve administrative për të ngritur efikasitetin e trajtimit të lëndëve administrative në gjykatë. Jo domosdoshmërisht, formimi i gjykatës së re përkthehet edhe në efikasitet, d.m.th. trajtimin e lëndëve të caktuara. Çështjet civile janë çështje ku hyn edhe e drejta e punës, janë çështje në të cilat qytetarëve të Kosovës thjesht ju duhet deri në 10 vjet për të marrë drejtësi. Andaj, formimi i gjykatave të reja nuk përkthehet në efikasitet”, ka deklaruar Miftaraj.

Përveç kësaj, Miftaraj thotë se ngritja e këtyre gjykatave do të rëndojë buxhetin e shtetit.

“Nëse kemi gjykata të reja, nënkupton që do të kemi kryetarë të rinj të gjykatave, do të duhet të kemi administratë shtesë e cila sigurisht që do të rëndonte buxhetin e shtetit. Sidoqoftë, në bazë të monitorimit të IKD-së, Kosova ka problem serioz me mungesë të planifikimit të duhur, menaxhimit të duhur, administrimit të duhur të gjykatave. As Këshilli Gjyqësor as ai Prokurorial fatkeqësisht, si nëpër gjykata si nëpër prokurori nuk është se kanë pasur ndonjëherë ndonjë vullnet për t’i mbajtur përgjegjës kryetarët e gjykatave për mungesat e pengesat që i kanë gjatë punës”, ka deklaruar më tej ai.

Kosova deri në vitin 2013 ka pasur funksionale Gjykatën Administrative ku janë trajtuar çështjet e tilla, ndërkaq me ndryshimin e Ligjit e njëjta kishte kaluar si departament në kuadër të Themelores së Prishtinës. E për kontestet gjyqësore të punës, çdo gjykatë themelore ka gjykatës.