Qeveria synon liberalizimin e vizave nëpërmjet luftimit të korrupsionit

Strategji për të informuar qytetarët rreth liberalizimit të vizave ka planifikuar Qeveria Kurti. Në programin qeverisës, Ekzekutivi përmend se për të arritur këtë synim, duhen rezultate në luftimin e korrupsionit, e në funksion të saj nevojitet integritet, kredibilitet dhe funksionim normal i sistemit të drejtësisë

Rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Qeveria Kurti i ka vlerësuar si thelbësore për liberalizimin e vizave. Në programin qeverisës, Ekzekutivi përmend se për të arritur këtë synim nevojitet integritet, kredibilitet dhe funksionim normal të sistemit të drejtësisë.

Në mesin e tri iniciativave të premtuara, Qeveria është zotuar se do të shmangë ndikimin politik në drejtësi përmes respektimit të parimit për ndarjen e pushteteve. Brenda një periudhe afatshkurtër, Ekzekutivi ka marrë përsipër kompletimin e kornizës së politikave për sistemin e drejtësisë, kurse në periudhë afatmesme procesin e vetingut për sektorin e drejtësisë dhe sigurisë.

Njohësi i çështjeve të integrimit evropian, Besnik Vasolli, thotë se realizimi i këtyre iniciativave merr kohë, andaj sipas tij, nevojiten veprime konkrete në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Reklama e sponzorizuar

“Ato parime të cilat i pamë në programin e qeverisë janë të mirëseardhura, mirëpo nuk na garantojnë që kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në një kohë të shpejtë. Nëse flasim për plane afatshkurta, afatmesme e afatgjate, këtu jemi duke folur me vite, sepse programi mbulon një mandat katër-vjeçar të Qeverisë. Pra afatmesme mund të konsiderojmë që është në dy vjetët e ardhshëm”, vlerëson Vasolli.

Në dokumentin 58-faqesh të Qeverisë ekziston synimi për një strategji rreth komunikimit me publikun sa i përket liberalizimit të vizave. Por, aty nuk përmendet ndonjë plan për qasjen ndaj vendeve evropiane që po pengojnë heqjen e vizave, si Franca e Gjermania.

Një strategji e tillë Vasolli thotë se është e domosdoshme dhe do të duhej të ekzistonte në program, tani kur vetë qeveria ka pranuar se ekziston rreziku që listës së vendeve skeptike t’i shtohen edhe Danimarka e Belgjika.

“Strategjia do të duhej të kishte qëllim që kosovarët të fitojnë të drejtën, mundësinë për liberalizim të vizave në një periudhë jo më të gjatë se një-vjeçare. Pra të fillohet qysh tash me hartimit. Ajo nuk do të duhej të merrte shumë kohë. Institucionet e Kosovës por edhe partnerët nga shoqëria civile ose nga organizata të tjera kanë aftësi dhe mund ta zhvillojnë një strategji të tillë. Qeveria pastaj do të duhej ta zbatonte atë strategji duke lobuar me këto shtete”, ka shtuar Vasolli.

Dritën e gjelbër për heqjen e vizave e kanë dhënë Komisioni dhe Parlamenti Evropian, por procesi po mbahet peng nga Këshilli i Ministrave të BE-së.