Dasmat, fejesat e organizime të tjera kanë filluar të zhvendosen nëpër restorantet e qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, pasi qytetarëve po u pamundësohet organizimi i festave në territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të masave anti-COVID, të cilat vazhdojnë të jenë në fuqi.
Telegrafi mëson si tashmë edhe organizime të tjera nga institucione të ndryshme janë bërë në Shqipëri, e të cilat më parë ishin planifikuar në Kosovë, por shkaku i kufizimit të orarit të punës së restoranteve dhe lëvizjes së qytetarëve janë bartur atje.
Në lidhje me këtë, për Telegrafin kanë folur edhe nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, të cilët nuk po pushojnë së kërkuari bashkëpunimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Qeverisë, në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje e të mos u shkaktohen më shumë dëme se deri më tani.
Gastronomët, për këtë qëllim edhe do të protestojnë gjatë të martës (më 25 maj), ndërsa paralajmërojnë se revolta në mesin e tyre është rritur shumë.
Arian Vranica, sekretar në Shoqatën e Gastronomëve të Kosovës ka thënë për Telegrafin se edhe bashkëpunimi që kanë pasur me institucionet tashmë nuk është si më parë dhe nuk ka komunikim, e kjo për shkak se siç tha ai, ata po marrin të njëjtat masa njëanshëm, pa u konsultuar me ta.
Vranica u shpreh se marrëveshja e nënshkruar nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministrja, Rozeta Hajdari, dhe disa shoqata nuk është respektuar, pasi as tash kur është përmirësuar gjendja epidemiologjike nuk janë hequr masa për një pjesë të sektorit të gastronomisë, të cilët janë të mbyllur që nga 13 marsi 2020.
“Përveç që nuk ka pasur lehtësim të masave ka pasur edhe një arrogancë, edhe kjo arrogancë neve na shpie në rrugë. Për këtë ne kemi organizuar protestë, e cila do të bëhet ditën e martë, në sheshin “Skënderbeu” para Qeverisë së Kosovës. Te krijojmë eventin e pakënaqësisë, bazuar në shqetësimin dhe revoltën e lartë të gastronomisë”, u shpreh ai.