Rrugë e gjatë deri te një vend pune

Sh.G (emër i njohur për redaksinë), i janë dashur më shumë se pesë vjet të sigurojë një vend pune me kontratë të rregullt. Ai kishte aplikuar në mbi 15 konkurse pune në Kosovë, por nuk ishte pranuar.

Punën ai e ka siguruar vetëm para dy muajve në një institucion publik të Kosovës, në profesionin për të cilin ai ka kryer studimet në nivelin master.

“Me profesionin që e ushtroj tani, jam marrë vetëm me projekte kur isha në studime bachelor. Jam marrë me trashëgimi kulturore, si historian. Por, për t’u punësuar me kontratë të rregullt, më janë dashur më shumë se pesë vjet”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, nepotizmi ka qenë arsyeja kryesore që nuk ka arritur të punësohet për pesë vjet, pasi në çdo konkurs ku kishte aplikuar, sipas tij, ai plotësonte kriteret që kërkoheshin.

Sh.G jeton në Prishtinë, në një banesë me qira, të cilën e ndan me një shok.

Në vitin 2019, u detyrua të gjejë punë jashtë profesionit të tij. Ai thotë se për tetë muaj punoi si shitës në një dyqan ushqimor në kryeqytet. Por, pas kësaj kohe, ai filloi përsëri të kërkonte punë në profesionin për të cilin ka mbaruar studimet.

“Dëshira ka qenë që të punoj në profesionin që e kam kryer dhe kam ëndërruar të merrem me këtë profesion. Jam mundur të ngushëlloj veten, duke thënë se kaq mund të më ofrojë vendi im”, thotë ai.

Sh.G, i cili ishte student me notë mestare mbi nëntë, kishte edhe publikime shkencore në revista ndërkombëtare, por, siç thotë ai, asnjë nga këto kualifikime, nuk ishin marrë për bazë në konkurset që publikoheshin nga institucionet publike.

Në shumicën e konkurseve, thotë ai, punësoheshin kandidatët që kishin miq e familjarë në atë institucion, apo edhe ishin militantë të partive që ishin në pushtet.

Sh.G tregon se pasi njoftohej se nuk ishte pranuar në punë në ndonjërin prej konkurseve që kishte aplikuar, e për të cilat ai mendonte se i plotësonte të gjitha kushtet, ai ka ushtruar të drejtën e ankesës pranë autoriteteve kompetente, por siç thotë ai, nuk ka marrë ndonjë përgjigje në favor të tij.

Ai tregon se e gjithë kjo e dëshpëronte, por ai nuk e ndali rrugën për të gjetur një punë, për të cilën, përveç se kishte nevojë ekonomike, donte që ai vend pune t’ia mundësonte atij që të ushtrojë profesionin për të cilin kishte studiuar.

Por, problemet u shfaqën edhe kur Sh.G u punësua, e të cilat me shumë sfida, arriti t’i tejkalojë.

“Para dy muajve kur jam punësuar në konkursin e parë, dikush në institucion e ka parë që nuk kam qenë i përshtatshëm në ministrinë që e ka pasur partia në fjalë, pra, kam qenë ndoshta simpatizant i ndonjë partie tjetër, më kanë hapur përsëri vendin e punës, pa e ditur unë. Për këtë pastaj më është dashur të bëj ankesë në instanca tjera, për ta rikthyer vendin e punës”, tregon ai.

Papunësia ngufat Kosovën

Dita Ndërkombëtare e Punës, Kosovën e gjen me shifër të lartë të të papunëve.

Papunësia nga 45 për qind sa ishte në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, deri në vitin 2020, ka arritur të shënojë ulje në afër 25 për qind.

Mbi 70 për qind e të papunëve në Kosovë, raportojnë se janë të papunë për më gjatë se 12 muaj.

Këto të dhëna janë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, si i vetmi mekanizëm për publikimin e të dhënave zyrtare në Kosovë.

Rritja ekonomike mesatare në Kosovë prej 4 për qind nuk ka arritur ta zbusë nivelin e papunësisë. Ky nivel i papunësisë ka bërë që Kosova të jetë shteti më i varfër në rajon, duke luftuar me nivele të larta të varfërisë.

Në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian, vlerësohet se 18 për qind e popullsisë jeton nën vijën e varfërisë, me 45 euro në muaj dhe 5.1 për qind e popullsisë nën vijën e varfërisë ekstreme, me nën 1.90 dollar amerikan në ditë.

Pandemia goditi tregun e punës

Përballja me pandeminë, ndërkohë ka goditur edhe tregun e punës në Kosovë. Të dhëna zyrtare, se sa të punësuar janë larguar nga puna për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, nuk dihet.

Por, sipas shoqatave ekonomike në Kosovë, gjatë kohës së pandemisë, mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur vendin e tyre të punës dhe rreth 20 mijë biznese të sektorëve të ndryshëm, kanë falimentuar.

Banka Botërore, në raportin e saj të fundit, që e publikoi gjatë kësaj jave, tha se numri total i vendeve të punës të humbura në rajonin e Ballkanit Perëndimor arriti afërsisht në 70,000 në fund të vitit 2020. /REL/