Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka arsyetuar ngritjen e çmimit të vajit në Kosovë, duke thënë se rritja e çmimit të vajrave ushqimore që nga filimi i muajit mars në vendin tonë nuk ka qenë si pasojë e tregut vendor, por pasojë e çekuilibrave në tregjet globale.
Sipas Rukiqit, e katërmujorin e parë të vitit 2021, Banka Botërore kishte paralajmëruar rritje të çmimeve të vajrave ushqimore, në nivel global, gjatë pjesës më të madhe të vitit 2021, bazuar në parashikimet për mungesa të mundshme në ofertën për vaj ushqimor.
“Kjo rritje çmimesh tashme po ndodh dhe e njejta ka filluar ne fillim te muajit mars, si pasoje e mungesave ne oferte dhe kerkeses ne rritje, sidomos te konsumuesit e medhenj te vajit ushqimor”, shkroi Rukiqi në facebook.
Në anën tjetër, Rukiqi shtoi tutje se mungesat në oferte janë edhe si pasojë e rimëkëmbjes së ngadalshme të vendeve që janë prodhues të vajit ushqimor si: Malejzia, Indonezia, si dhe përdorimit në rritje të sojës në prodhimin e biodizelit.
Prishja e ekuilibrave të tregut global të vajit ushqimor reflektohet më shumë në çmimet me pakicë, në të gjitha tregjet botërore, duke përfshirë edhe Kosovën.
Rukiqi përfundon se analistët e tregut global të produkteve ushqimore, parashohin stabilizim të çmimeve të vajrave ushqimore, në pjesën e dytë të vitit 2021.
Ndryshe, sot u raportua se edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka nisur hetimet e tij rreth ngritjes së çmimit të vajit në Kosovë.
Valon Prestreshi, kryetar i këtij institucioni, ka thënë se ngritja e çmimit të vajit në Kosovë dhe Shqipëri është në shifra shqetësuese.
“Vërehet një ngritje e çmimit të vajit edhe në Shqipëri. Si dy institucione si motra edhe me tutje do t’i intesifikojmë hetimet dhe monitorimet e kësaj dukurie për të arritur me një konkluzion të fort dhe të qendrueshem”, ka shkruar Prestreshi në një postim në facebook. /Buletini Ekonomik/