Si biznesi i “Forex Trading”, tenton të joshë të rinjtë

Biznesi i kurseve trajnuese “Forex Trading” për një javë i përhapur në mbarë botën, vitet e fundit është importuar edhe në Shqipëri. Nga lajmërimet e shumta në Instagram, apo kanale në YouTube nga të rinj të vendeve të ndryshme të botës, mëson se si një 18-vjeçar apo 23-vjeçar është mentor për tregun Forex, pas një përvoje disavjeçare si tregtar të suksesshëm. Të njëjtat skema trajnimi po veprojnë edhe në Shqipëri.

Dëshira e madhe për t’u pasuruar menjëherë dhe pa sakrifica po josh shumë të rinj të moshës mbi 18 vjeç nga Shqipëria dhe Kosova të shpenzojnë 800 euro për trajnime në kurse 5-ditore Forex. Informacionin e parë për kurset trajnuese të rinjtë e marrin nëpërmjet faqeve të rrjeteve sociale “Instagram”. Online u thuhet se në Forex, mësohen metoda dhe strategji se si të jesh i pavarur financiarisht dhe të tregtosh me fondet e tua të kursimeve, ose të fitosh kapitale nga kompani të huaja, që janë të gatshëm t’i ofrojnë këto fonde për traders (tregtarë) me strategji dhe disiplinë të suksesshme.

Trajnimi zgjat pesë ditë të plota nga e hëna deri në të premte (40 orë). Paraprakisht, të interesuarit duhet të rezervojnë online në linkun e publikuar në Instagram, nëpërmjet një konsulte që zgjat 15 minuta. Trajnimet për “Forex Trader” zhvillohen në ambientet e kompanisë që ndodhet në Durrës. Administratori MiriFX parashikon që vitin tjetër të hapë një zyrë edhe në Tiranë.

Reklama e sponzorizuar

Ndër pyetjet më të shpeshta që atij i drejtohen nga të rinjtë është se sa risk mbart investimi i parave. Punën me trajnimet e nisura nga shtatori 2015, ai e konsideron si “ajsberg”, me shumë fitime, por edhe me shumë humbje, por në fund shikon dritë.

Ndërsa për sa u përket rregullave të kompanive që merren fondet, administratori MiriFX shpjegon si funksionon skema. “Mjafton të paguash një fee të vogël në bazë të kapitalit që dëshiron dhe kjo fee të rimbursohet nëse arrin të bësh 10% në muaj mbi kapitalin fillestar.”/monitor.al/