Deri në fund të dekadës, deri në tre miliardë njerëz do të kenë nevojë për strehim më të mirë. Për të përmbushur këtë nevojë duhet të ndërtohen 96,000 shtëpi të reja çdo ditë, sipas UN Habitat.
A mund të jenë printerët gjigantë 3D një nga zgjidhjet?
Ata mund të prodhojnë shtëpi me kosto më të lirë dhe më shpejt se teknikat tradicionale të ndërtimit dhe kanë siguruar shtëpi për njerëzit në mbarë botë. Nëse miratohet në shkallë të gjerë, kjo qasje mund të krijojë strehë për miliona kokat e njerëzve që janë të pastrehë.
Këtu janë tre shembuj të printimit të shtëpive 3D, që njëkohësisht tregojnë të ardhmen e kësaj metode revolucionare të ndërtimit.
Indi, një shtëpi me një kat në vetëm pesë ditë
Në qytetin e Chennai, falë bashkëpunimit midis një firme ndërtimi dhe një shoqate bamirësie është krijuar shtëpia e parë e printuar në 3D në vend. Është rreth 56 metra katrorë dhe është ndërtuar me efikasitet të lartë, sipas Tvasta Manufacturing Solutions. “Ndërtimi tradicional është i lodhshëm dhe kërkon kohë”, tha Adithya Jain, CEO dhe bashkëthemelues i Tvasta. Përfundimi i shtëpisë në vetëm pesë ditë, vlerësohet të ketë kosto 30% më të lirë për t’u bërë dhe të gjenerojë më pak mbetje gjatë procesit.
Holandë, projekti i parë europian
Milestone është një projekt me pesë shtëpi në qytetin holandez të Eindhoven. Shtëpia e parë ka përfunduar tashmë dhe ka banorët e saj të parë – Harrie Dekkers dhe Elize Lutz. Ajo është shtëpia e parë e printuar në 3D në Europë. Shtëpia me sipërfaqe 94 metra katrorë është ndërtuar si pjesë e një bashkëpunimi midis Universitetit të Teknologjisë Eindhoven, komunës së Eindhoven dhe bizneseve të sektorit privat. Shtëpia është projektuar që t’i ngjajë një guri të madh, duke qenë në harmoni të plotë me mjedisin.
SHBA, shtëpi me materiale të ndryshme në Teksas
Ndërtimi i shtëpive me dy deri në katër dhoma gjumi po ndodh në Austin, Teksas, duke përdorur një kombinim të printimit 3D dhe metodave tradicionale. Kati i parë i shtëpive është printuar në 3D, me çatitë e bëra nga materiale konvencionale. Duke përdorur Lavacrete, një lloj çimentoje, shtëpitë janë projektuar për t’i bërë ballë zjarrit, përmbytjeve, erës dhe katastrofave të tjera natyrore më mirë sesa shtëpitë e ndërtuara në mënyrë konvencionale, sipas ICON, kompania e printimit në 3D e përfshirë në projekt.
Gary O’Dell, bashkëthemelues dhe CEO i zhvillimit, 3Strands, tha: “Ne duam të ndryshojmë mënyrën e ndërtimit dhe se si jetojmë në bashkësi. Ky projekt përfaqëson një hap të madh në drejtim të teknologjive të reja, siç janë shtëpitë e printuara në 3D”. / World Economic Forum