Zv.ministri i Financave i bindur se nuk do të ketë më vjedhje në thesar, reagon ish-ministrja

Zëvendësministri i Financave Ilir Kapiti, para deputetëve në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike është shprehur i bindur se rastet e vjedhjes së thesarit, nuk do të përsëriten, raporton Ekonomia Online.

Kjo duke iu referuar vjedhjes së 2.1 milionë eurove muaj më parë. Ai më tej ka shtuar se kjo është çështje e prokurorisë.

“Sa i përket vjedhjeve është çështje e prokurorisë të gjitha kërkesat që i kanë kemi qenë transparente dhe shumë shpejt do të vijmë me një përgjigje”.

Reklama e sponzorizuar

Përgjigja e Kapitit erdhi pasi deputeti, Ehman Rrahmani ka pyetur zëvendësministrin e Financave se çfarë është duke ndodhur me vjedhjen e 2.1 milionë euro në MF.

“A kemi garancinë që nuk o të ndodhin vjedhje të tilla siç ka ndodhur ai i 2.1 milionë dhe a janë kthyer mjetet”.

“Hapat janë ndërmarr kemi kontakte dhe takime të përditshme me thesarin dhe raport javor”.

Gjatë kohës kur u vjedhin 2.1 milionë euro nga thesari i shtetit në atë kohë ministrie e Financave ishte Hykmete Bajrami.

E për këtë ka reaguar edhe ajo duke thënë se askush nuk mund të garanton se nuk do të ndodh më një gjë e tillë, raporton EO.

“Është një nga brengat më të mëdha që ka ndodhur në thesar, janë vendosur siguresa shtesë në atë kohë dhe si rezultat i asaj sot pagesat bëhen me vonesë”.

“…në këtë rast nuk mundet askush me garantuar që gjërat e tilla nuk ndodhin, kushdo që do me keqpërdor detyrën zyrtare mund të ndodhë”.