Rreth 4 milionë euro i ka humbur buxheti i shtetit që prej kur ka nis së implementuari Ligji për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Ky ligj i cili ka hyrë fuqi nga mesi i vitit 2019, vazhdon të kundërshtohet nga ana e Administratës Tatimore e Kosovës (ATK), pasi sipas tyre ka reflektime negative buxhetore nga viti në vit, por edhe po keqpërdorur nga bizneset.
Ani pse pritjet kanë qenë që brenda një viti sponsorizimi do të arrijë deri 30 milionë euro në vit për mbështetjen e sportit, ekspert të ekonomisë thonë se duhet të rishikohet ky ligj për të eliminuar abuzimet e mundshme nga korporatat.
Në anën tjetër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë, dhe Sportit tregojnë se vlera e përfituar prej këtij ligji është rreth 6 milionë euro që sipas kësaj ministrie nuk është e mjaftueshëm për t’i mbuluar të gjitha kërkesat nga komuniteti sportiv.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj thotë se ligji në fjalë ka pasur një efekt të lartë në zvogëlimin e të hyrave tatimore në buxhetin e Kosovës si shkas i aplikimit të kësaj të drejte nga ana e bizneseve për të mbështetur sportin.
Drejtori Murtezaj po shpreh dyshimet e mundshme të keqpërdorimit të këtij ligji nga ana e bizneseve.
“Ne si ATK në vazhdimësi kemi pasur dilema dhe reagime tona qe s’jemi pajtuar me këtë bazë juridike e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, por megjithatë meqenëse siç dihet jemi agjenci ekzekutive dhe jemi të obliguar që çdo vendim të nxjerrë nga kuvendi edhe ta respektojmë. Apsolutisht nuk duhet të nënkuptohet se ne si institucion jemi kundër sportit, përkundrazi jemi që ta përkrahim sportin mirëpo të gjendet rruga e cila zvogëlon ose minimizon mundësitë e keqpërdorimeve eventuale…(03’13)Mundësitë janë të hapura për shkak se i jepet mundësia bizneseve që me paratë e shtetit të bëjnë nderë ose në një farë forme sikur ata janë sponsorizuesit e sportit, realisht ato janë partë e shtetit të cilat janë në emër të tatimeve. Ka edhe një jo barazi për dhënien e mundësisë bizneseve për të dhënë mjetet në emër të sponsorizimeve, Ligji i TAK-ut më 2019 ka kaluar, ndërsa Ligji i TAP-it që trajton ndërmarrjet individuale nuk ka arritur të miratohet në leximin e dytë në Kuvend. Si rezultat i kësaj sot aktualisht këtë të drejt e kanë mundësinë ta shfrytëzojnë vetëm bizneset juridike apo SHPK-t, (Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar)”, thotë Murtezaj.
Murtezaj thotë se kanë propozuar në Ministrinë e Financave që të rishikohet kjo dispozitë juridike për të parandaluar mundësitë e keqpërdorimeve eventuale.
Ai tha se në vitin e kaluar ka pasur efekte të larta në rënien e të hyrave.
“Pra, sipas ligjit të sponzorizimeve dhe ligjit të TAK-ut, çdo biznes ka të drejt që të financoi sportin duke ndarë mjete nga detyrimi i tyre tatimor në emër të kompensimit ose sponsorizonit të sportit. Gjatë vitit 2019 meqenëse ka qenë viti i parë dhe ka hy ligji në fuqi në mes të vitit ka pasur një reflektim më të ulët diku afër 1 milion euro të hyra tatimore që kanë qenë të paguara më pak për buxhetin e shtetit si rezultat i ndarjes së mjeteve për sponsorizim të sportit. Ndërsa, ne vitin 2020 ka pasur një efekt më të lartë ku në total për sportin dhe njëkohësisht edhe për kulturën janë ndarë rreth 2.7 milionë euro. Shumë kjo e cila nga viti në vit do të rritet si rezultat pastaj dhe i bizneseve që mund ta përdorin këtë, edhe si mbështetje për sportin por në të njëjtën kohë edhe për reklamim të kompanive të tyre. Andaj, si rezultat i kësaj ne veç kemi bërë propozimet tona në Ministri të Financave që kjo mundësi të rishikohet kjo dispozitë juridike gjithnjë me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve eventuale”, thekson Murtezaj.
Në anën tjetër, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani thotë për KosovaPress, se ligji për sponzorizim ka qenë hapi i parë i komercializimit.
Osmani thotë se ligji është një mundësi për federatat, klubet ose edhe vet sportistët, të cilët i takojnë sistemit garues vendor, të cilët kanë mundësi për financim përtej asaj çfarë ofron Ministria e Kulturës dhe pse në njëfarë forme prapë i bie investim prej shtetit.
“Ligji për sponzorizim ka qenë siç e thash më herët hapi i parë i komercializimit për shkak se është njëfarë mundësie ku federatat, klubet ose edhe vet sportistët të cilët i takojnë sistemit garues vendor kanë mundësi për financim përtej asaj çfarë ofron ministria jonë edhe pse në njëfarë forme prapë i bie investim prej shtetit. Në bazë të informatave që i kemi marrë deri më tani, vlera e cila është nxjerrur, që sektori i sportit ka përfituar prej ligjit të sponzorizimit për vitin 2019 dhe vitin 2020 është diku rreth gjashtë milionë euro që nuk është ndoshta mjaftueshëm për t’i mbuluar të gjitha kërkesat që komuniteti sportiv i ka dhe të gjitha nevojat e tyre mirëpo njëkohësisht nuk është as e vogël kështu që ne jemi ithtar të asaj që po mundohemi në çdo takim, edhe në takimin e memorandumeve kemi kërkuar prej federatave edhe njëkohësisht iu kemi ofruar ndihmë në çfarëdo forme që ata kanë nevojë me e shfrytëzu këtë ligj për shkak se ka benefite të jashtëzakonshme për ata dhe njëkohësisht pjesë e programit tonë është edhe promovimi i këtij ligji”, thotë Osmani.
Eksperti i ekonomisë, Bardh Ahmeti thekson se përkundër që ligji është i avancuar dhe në harmoni me direktivat e BE-së, nuk ka arrit pritshmëritë për sponsorizim.
Edhe Ahmeti nuk përjashton mundësinë e keqpërdorimit të këtij ligji nga kompanitë me anë të pastrimit të parave, fshehjes së tatimit. Megjithatë, për ta rregulluar këtë çështje duhet plotësim i ligjit bazik.
“Legjislacioni i plotëson kushtet dhe normat e Bashkimit Evropian, është goxha i avancuar, mirëpo shfrytëzimi i tij nuk ka shkuar në shkallën dhe pritshmërit që kanë qenë para aprovimit të këtij ligji. Megjithëse ka shembuj të suksesshëm të përdorimit, por ka shumë pikëpyetje përse nuk ka arritur pritshmëritë deri në shkallën që është pritur. Është obligim i institucioneve, në këtë rast i Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Financave dhe ATK që të hartojnë një legjislacion sekondar mbi ligjin bazik për t’i rregulluar të gjitha fushat dhe për të eliminuar mundësitë e keqpërdorimit nga sektori privat. Keqpërdorimi mund të vije nga transaksionet fiktive dhe të dyshimta, të shpëlarjes së parasë, fshehjes së tatimit, por institucionet kanë të gjithë mekanizmat e tyre kontrollues për të mënjanuar dëmtimin e buxhetit të shtetit, në këtë rast ikjes nga detyrimet tatimore dhe mosekzekutimin e investimeve në sport, rini dhe kulturë”, thotë Ahmeti.
Ligji për sposorizime, përkatisht neni 12 që i përket zbritjeve të lejuara, sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit u njihet zbritja tridhjetë përqind nga tatimi në fitim sipas këtij ligji.
Ndërsa, sponsorizuesit në fushën e kulturës dhe rinisë u njihet zbritja njëzet përqind nga tatimi në fitim në bazë të Ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Koropratave.