Ashensori i vitit 1919 në minierën e Stantërgut, ku u bllokuan 60 minatorë, ende jashtë funksionit

Ashensori i cili daton që nga viti 1919 në Minierën e Stantërgut që nga dita e djeshme është jashtë funksionit.

Pas bllokimit të rreth 60 minatorëve të Stantërgut në Mitrovicë ende ashensori nuk është rregulluar edhe pas tentimeve të shumta për ta vënë në funksion atë.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin drejtori i ndërmarrjes Trepça, Nexhat Dedia.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, janë duke u munduar që ta rregullojnë prishjen e ashensorit mirëpo nuk po arrijnë, pasi siç tha ai pajisja daton që nga viti 1919.

“Ende minatorët nuk kanë filluar punën për shkak të defektit të ashensorit që ndodhi në minierë. Po mundohemi ta rregullojmë, mirëpo ende nuk kemi arritur që ta vendosim në funksion”, tha Dedia për Telegrafin.

Ndryshe, të mërkurën mbrëma rreth 60 minatorë të Minierës së Stantërgut, në Mitrovicë pas mbarimit të orarit të punës mbetën të bllokuar në horizontin e 12-të për shkak të prishjes së ashensorit. Të njëjtit janë nxjerr me anë të skipave (kanaleve) prej nga nxirret xehja prej horizonteve nëntokësore në sipërfaqe.