Platforma e tregtimit të kriptovalutave, Binance, është ndaluar që të operojë në Mbretërinë e Bashkuar nga rregullatorët e vendit, çka përbën lëvizjen e fundit në mbikëqyrjen e tregut të kriptovalutave në të gjithë botën.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Britani, deklaroi se “Binance Market Limited”, njësia në Britani e plaftormës, “nuk lejohet më të zhvillojë aktivitet të rregulluar në vend”.
Nga data 30 Qershor, kompania duhet të shtojë një lajmërim në faqen në web dhe aplikacion, ku i tregon përdoruesve se nuk ka më leje për të ndërmarrë aktivitet në vend. Binance, bursa më e madhe në botë e kriptovalutës, matur nga volumi i tregtimit, pritej të niste një treg dixhital të vetin në Britani.
Megjithatë, është një nga disa firma që tërhoqën aplikimet për t’u regjistruar me Autoritetin e Mbikëqyrjes financiare, për shkak të kërkesave mbi pastrimin e parasë.
Zëdhënës të organit rregullator qartësuan se përmasa e vendimit është e limituar.
Edhe pse Binance është ndaluar së ofruari shërbime të rregulluara në Britani, firmat jo të regjistruara mund të vazhdojnë të ndërveprojnë me konsumatorët në vend, çka nënkupton se britanikët mund të vazhdojnë tregtimin nëpërmjet faqes në web./SCAN TV/