FMN analizon ekonominë shqiptare – “Rritja ekonomike në 5.3% këtë vit, por ka ende pasiguri”

Në përfundim të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në vendin tonë, institucioni ka nxjerrë edhe përfundimet kryesore, një analizë e përgjithshme për ekonominë shqiptare. “Rimëkëmbja ekonomike ka nisur, megjithëse ka ende pasiguri të konsiderueshme për shkak të ecurisë së pandemisë”-thotë FMN në gjetjet kryesore, duke shtuar se: “Politika fiskale në vitin 2021 siguron mbështetjen e duhur për ekonominë.

Nismat e reja të shpenzimeve nga autoritetet duhet të mbështeten nga masa për rritjen e të ardhurave, që janë në përputhje me një konsolidim fiskal të besueshëm afatmesëm, në mënyrë që të rindërtojë hapësirën e duhur për politikën fiskale.”Politika monetare duhet të mbetet mbështetëse, duke pasur parasysh që presionet inflacioniste mbeten të ulëta dhe pritjet për inflacionin duhet të jenë të mire ankoruara. Rezervat e kapitalit të bankave duhet të ruhen derisa të dihet ndikimi i plotë i pandemisë në cilësinë e aktiveve bankare”-thotë më tej institucioni me bazë në Washington.

FMN e projekton rritjen ekonomike të vendit tonë pranë 5.3% këtë vit, ndjeshëm mbi projeksionet e Bankës Botërore dhe në linjë me ato të qeverisë shqiptare. Duhet theksuar se FMN është ndër institucionet më konservatore sa i përket projeksioneve. “Aktiviteti ekonomik i Shqipërisë në vitin 2020 u tkurr shumë më pak sesa pritej fillimisht, duke reflektuar turizmin e rritur vendas dhe rajonal, mbështetjen e politikave dhe rindërtimin nga tërmeti, si dhe mungesën e një mbyllje të dytë.

Reklama e sponzorizuar

Në vitin 2021 rritja parashikohet të rikthehet në 5.3% si rezultat i rimëkëmbjes së sektorëve të prekur nga pandemia si dhe vijimi të aktivitetit të rindërtimit pas tërmetit. Sidoqoftë, pasiguria mbi perspektivën e rritjes mbetet e konsiderueshme. Inflacioni është rritur nga çmimet më të larta ndërkombëtare të mallrave të bursës, por është ende shumë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë (BSH) dhe presionet inflacioniste kanë mbetur të ulëta”-nënvizon mes rreshtave Fondi Monetar Ndërkombëtar.

SCAN TV