Hapja e kufijve të BE- Në cilat vende mund të shkohet për turizëm

Mjafton një test covid i 48 orëve të fundit dhe turistët shqiptarë mund ti kthehen udhëtimeve të qefit në Europë. Kjo lehtësi përfshin edhe personat e vaksinuar me një nga vaksinat perendimore të njohura nga EMA, apo qoftë edhe vërtetimin se e ke kaluar Covid 19.

Kjo rihapje e dyerve të BE-së një vit e gjysëm pas fillimit të pandemisë erdhi pasi vendet anëtare të Bashkimit Evropian ranë  dakord të mërkurën të heqin kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga tetë vende dhe territore duke përfshirë, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Përveç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listë ishin edhe Shtetet e Bashkuara, Hong Kongu, Makao, Arabia Saudite dhe Tajvani.

Ky lehtësim i masave përfshin ato shtete që regjistrojë në maksimum 75 raste pozitive infektimesh për 100,000 banorë, në 14 ditët e fundit. Prej disa javësh Shqipëria është poshtë kësaj shifre pasi numri i të prekurve ka rënë ndjeshëm.

Reklama e sponzorizuar

Por ndonëse vendimi i Brukselit flet për hapje të plotë të dyerve për këto vende, ndonjë nga shtetet anëtare mund të vazhdojë të kërkojë test negativ për COVID-19 ose një periudhë karantine. “Çështja e shëndetit është në kompetencën kombëtare të secilit shtet anëtar të BE-së, prandaj, edhe në rast se disa vende deklarohen të sigurta, secili vend i BE-së ka të drejtë të vendosë masa për të luftuar koronavirusin” thuhej në vendimin e BE.

Dhe meqë secili vend ka rregullat e tij, ambasadat e tyre ne Tiranë kanë filluar të japin njoftime të detajuara për modalitetet se si mund të udhëtojnë shqiptarët.

Kështu që prej datës 19 qershor, në Greqi do të lejohet të kalojnë të gjitha kategoritë e udhëtarëve nga Shqipëria, përfshirë edhe ata që duan të bëjnë turizëm. Natyrisht ata duhet të jenë të paisur me një test PCR ose rapid, të kenë vërtetimin e kalimit të sëmundjes apo bërjes së një prej vaksinave perendimore. Por ndonëse kufiri do të hapet këtë fundjavë deri më datë 28 qeshor numri i atyre që do të hyjnë në shtetin fqinjë mbetet i kufizuar. Greqia lejon hyrjen e 1500 personave në ditë në Kakavijë, 250 në Qafë Botë dhe 400 në Kapshticë deri në liberalizimin total të lëvizjes.

Prandaj ata që kërkojnë të nisen duhet të mbushin një formular onilne të quajtur PLF. Në rast se formulari nuk plotësohet online do të thotë që është arritur kuota ditore e ju duhet të zgjidhni një ditë tjetër për të udhëtuar drejt Greqisë. Duhet theksuar se edhe fëmijët mbi 12 vjec i nënshtrohen të njëjtave regulla për hyrjen në shtetin fqinj.

Edhe Ambasada Gjermane në Tiranë ka sqaruar se Qeveria Federale ka hequr të gjitha kufizimet e udhëtimeve që nga dita e dielë, 20 qershor.

Që nga kjo datë, udhëtimi për në Gjermani i personave rezidentë në Shqipëri, lejohet përsëri për të gjitha qëllimet e udhëtimit.

Ambasada bën e dije se për udhëtimet hyrëse me rrugë ajrore, është e domosdoshme një dëshmi e testit anti-Covid, një dokument që provon shërimin apo vaksinimin.

Në vijim pritet të konfirmohen edhe masat liberalizuese të shteteve të tjera që hapin dyert për turistët ndonëse me ndonjë kosto shtesë për dokumentat anti covid./lapsial/