Janë konfiskuar numër i madh i tabelave të taksive ilegale, kështu tha në një prononcim për Ekonomia Online, drejtori i Inspekcionit në komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri.
Ai tha se janë qindra e mijëra taksi që funksionojnë në Prishtinë me leje të komunave të tjera, për të cilat janë vendosur edhe patrulla nëpër stacione për të ndalur veprimtarinë e tyre.
“Janë qindra e mijëra taksi që funksionojnë me leje të komunave të tjera, të komunave përreth dhe që frekuentojnë nëpër Prishtinë, ne me ekipet tona të sektorit të rendit komunal shpeshherë i mbikëqyrim linjat e trafikut urban dhe vendosim patrullat tona nëpër stacionet e trafikut urban. Kësisoj arrijmë që të konfiskojmë një numër të madh të tabelave të këtyre taksive sepse kësisoj i përjashtojmë nga qarkullimi”, tha Tahiri.
Mes tjerash ai tha se për çdo ndalje të këtyre taksive, do u konfiskohet komplet vetura dhe nuk do iu kthehet deri sa të paguhet gjoba prej 100 eurove.
“Sa herë që ndalohet një taksi ilegal atij i konfiskohen ose tabelat, ose komplet vetura dhe deri në pagesë të gjobës prej 100 eurove ato nuk i kthehen”.
“Ka muaj të tërë që aksioni anti-Covid udhëhiqet nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës, dhe ata na ftojnë neve vetëm kur kanë nevojë për staf shtesë e kësisoj ne si inspekcion komunal ju kemi kthyer temave tona lokale, ashtu që të vendosim rend dhe rregull në kryeqytet, dhe sa herë që të ketë kërkesë qoftë nga Policia apo Agjencioni i Veterinës ne do të bashkohemi në atë aksion”, theksoi tutje ajo.
Si përfundim Tahiri përmendi edhe aksionet e ndryshme që janë duke i ndërmarrë për të cilat tha se nuk mund t’i zbulojnë pasi është ideja që shkelësit e ligjit të mos fshihen, por të merren masa në bazë të rregullave.
“Aksionet nuk i paralajmërojmë sepse nuk është ideja që shkelësit e ligjit të fshihen ato ditë, por ideja është që t’i gjejmë në vepër në mënyrë që të arrijmë të ndërmarrim masa sipas rregullave”, përfundoi Tahiri.