Kosova dhe Ballkani Perëndimor synohet të jenë destinacion për investime të huaja.
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi ka thënë se Ballkani ka potencial që të jetë destinacion i investimeve sidomos nga Gjermania në dhjetë vitet e ardhshme.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se Covid-19 ka dëmtuar prodhimin dhe ka ndikuar në çmime.
Ai tutje ka shtuar se Ballkani ka potencial që të tërheqë investime të mëdha në 10 vjetët e ardhshme, për shkak të stabilitetit politik dhe juridik.
Rukiqi ka shtuar se Kosova ka shansin e fundit që të tërheq investime të huaja.
“Janë disa rekomandime për të sjellë investime. Përmirësimi i cilësisë të fuqisë punëtore Qeverisje stabile, stabilitet politik Infrastruktura, transporti mënyra se si lidhen vendet me njëra-tjetrën. Investitorët kërkojnë stimulime të natyrës fiskale dhe stimulime financiare. Bashkëpunimi me kompanitë e huaja që duan të investojnë. Trajtimi i kërkesave të investitorëve dhe promovimi i investimeve”, ka thënë ai.
Rukiqi ka thënë se në bazë të kësaj analize, Ballkani ka potencial që të jetë destinacion i investimeve sidomos nga Gjermania në dhjetë vitet e ardhshme. Derisa shtoi se ky interesim ndërlidhet me stabilitetin politik dhe bashkëpunimin rajonal.
“Kosova ka shansin të tërheq investime të huaja serioze. Jo rastësisht kanë nisur diskutimet për iniciativën e bashkëpunimit rajonal. Këto investime do të ndikonin për rritjen e punësimit dhe rritjen e eksporteve drejt vendeve të treta”.
Ai shtoi se për të pasur Kosova investime të huaja kërkohet të bëhen disa politika të domosdoshme, siç janë reformat arsimore ose kualifikimi i fuqisë punëtore, politika fiskale të favorshme për investitorë, qeverisje të mirë dhe stabile.
Kreu i OEK-ut tha po ashtu se COVID-19 ka çrregulluar komplet transportin dhe prodhimin që kanë ndikuar në lëvizjen e çmimeve.
Kurse, Muela Ibrahimi nga Oda Ekonomike ka thënë se korrupsioni elementi kryesor që pengon investimet e huaja.
“Ballkani Perëndimor ka stagnim infrastrukturor. Të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë paga të vogla por kjo nuk shihet si pengesë për investime të huaja. Arsyet kryesore pse kompanitë gjermane kanë investuar në Ballkanin Perëndimor janë pagat e vogla dhe fuqia punëtore”.
Oda Ekonomike e Kosovës ka prezantuar studimin “Të bëhemi më të fortë pas COVID-19: Shfrytëzimi i Potencialit të Afërsisë Gjeografike për Investime të Huaja Direkte në Ballkanin Perëndimor”.