Kryeshefi në detyrë i Postës fiton mbi 25 mijë euro në kontestin ndaj Telekomit dhe Postës, kjo e fundit nuk tregon nëse do të parashtrojë ankesë

Pak ditë para se të merrte pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Postën e Kosovës, Rafet Jashari e ka fituar në gjykatë një rast ku e kishte paditur institucionin që tashmë drejton.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Posta e Kosovës dhe Telekomi i Kosovës do të duhen që në mënyrë solidare t’ia paguajnë Rafet Jasharit 25 mijë e 222 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë shumë, Posta e Kosovës dhe Telekomi janë obliguar që t’ia paguajnë Jasharit në emër të kompensimit për ndryshim të diferencës në pagë për periudhën shtator 2010 – shkurt 2012, si dhe në emër kamatës, kontributeve pensionale, tatimit për Administratën Tatimore të Kosovës dhe shpenzimeve të procedurës kontestimore.

Reklama e sponzorizuar

Kundër këtij aktgjykimi, të paditurat në këtë rast, Posta e Kosovës dhe Telekomi kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit brenda shtatë ditësh nga koha kur e kanë pranuar aktgjykimin.

Por, nga Posta e Kosovës nuk kanë treguar nëse do të ankohen në Gjykatën e Apelit ndaj këtij aktgjykimi që gjykata e shkallës së parë ka marrë në favor të tashmë kryeshefit ekzekutiv në detyrë të Postës.

“Betimi për Drejtësi” gjatë tërë javës ka dërguar pyetje në Postën e Kosovës, ku ka kërkuar të dijë nëse ky institucion do të ankohet ndaj vendimit të gjykatës si dhe nëse ankesa potenciale do të hartohet nga zyra e ligjore e Postës, që në këtë rast i bie të jenë vartësit e kryeshefit Jashari.

Po ashtu, një ndër pyetjet që i ishin drejtuar Postës dhe kryeshefit në detyrë ishte edhe ajo se si mund të perceptohet në publik fakti se zyrtarët ligjor të Postës, në këtë rast, vartësit e kryeshefit, do të duhej të bënin ankesë në gjykatë ndaj udhëheqësit të tyre.

Ndonëse nga Posta e kanë konfirmuar se pyetjet i kanë pranuar, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Gjykatësi i çështjes, Enver Shabanaj ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se deri të premten, në shkresat e lëndës për këtë rast nuk është evidentuar se ka arritur ndonjë ankesë potenciale ndaj aktgjykimit që ai kishte nxjerrë më 17 maj 2021. Mirëpo, ai ka thënë se ankesat potenciale mund të jenë ende në shkrimoren e gjykatës.

Edhe përfaqësuesi i kryeshefit në detyrë, Rafet Jashari, avokati Fatbardh Makolli ka thënë se deri më tani nuk ka pranuar ndonjë kopje të ankesës potenciale nga pala kundërshtare, por i njëjti ka theksuar se afati për ankesë është ende i hapur.

“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar informacion edhe nga Avokatura Shtetërore nëse kanë pranuar ndonjë kërkesë nga Posta që t’i përfaqësojë në këtë kontest për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm të interesit në këtë rast, për shkak të raportit hierarkik që ekziston mes kryeshefit në detyrë dhe zyrës ligjore në Postë.

Mirëpo, Avokatura Shtetërore ka konfirmuar se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë nga Posta që t’i përfaqësojë në këtë kontest kundër kryeshefit në detyrë, Rafet Jashari.

Për më tepër, nga Avokatura Shtetërore kanë bërë të ditur se nuk i përfaqësojnë ndërmarrjet publike por vetëm rastet kur si palë në procedurë është Qeveria e Kosovës.

Ndryshe, më 3 maj 2011, Rafet Jashari e kishte paditur Postën dhe Telekomin e Kosovës duke kërkuar anulimin e një vendimi me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit në Postë.

Në kohën e ushtrimit të padisë, Posta dhe Telekomi kishin qenë një ndërmarrje publike e përbashkët, por që nga ajo kohë, këto dy kompani janë ndarë dhe tashmë funksionojë si dy ndërmarrje të veçanta publike.

Në padi thuhet se Jashari kishte qenë në marrëdhënie të punës me të paditurën Postën dhe Telekomin e Kosovës që nga viti 1984. Sipas kontratës së punës së datës 30 qershor 2008, ai ishte caktuar në pozitën e Drejtorit në Postë, me pagë sipas gradës 16.

Me një vendim të nxjerrë më 23 korrik 2010, nga kryeshefi i atëhershëm ekzekutiv i Postës dhe Telekomit, paditësi Rafet Jashari ishte shkarkuar nga detyra e drejtorit të Postës së Kosovës dhe ishte rekomanduar sistemimi i tij në pozitën Koordinator për urdhërpagesa ndërkombëtare me pagë sipas gradës 12, pagë kjo që ishte për katër nivele më e ulët se sa paga e postit të Drejtorit të Postës së Kosovës që Jashari mbante paraprakisht.

Si shkak për shkarkimin e tij, siç thuhet në padi, kishte qenë një raport i hetimeve, përkatësisht konstatimi se paditësi kishte shpërndarë informata konfidenciale në mënyrë të paautorizuar me çka kishte vepruar në kundërshtim me rregulloret e korporatës.

Ndaj këtij vendimi, Jashari ishte ankuar duke theksuar se vendimi për shkarkimin e tij kishte qenë i kundërligjshëm, por ankesa e tij ishte refuzuar nga e paditura. Sipas padisë, Jashari nuk i kishte shkelur detyrat e tij të punës që do të arsyetonin shkarkimin e tij.

Për këto arsye, ai i ishte drejtuar gjykatës me padi, ku kërkonte që të detyrohet e paditura që paditësin ta kthej në vendin e punës në pozitën e Drejtorit të Postës së Kosovës dhe që t’ia kompensojë diferencën e pagës nga periudha 3 shtator 2010 deri në kthimin e tij në pozitën e mëparshme.

Pas paraqitjes së padisë në gjykatë, Jashari më 6 shkurt 2012 ishte rikthyer sërish në pozitën e mëparshme.

Duke vendosur lidhur me këtë padi, Gjykata Themelore në Prishtinë më 17 maj 2021 ka marrë aktgjykim me të cilin e ka aprovuar në tërësi si të bazuar padinë e Rafet Jasharit.

Gjykata ka vendosur që të anulojë si të kundërligjshëm vendimin me të cilin ai ishte shkarkuar.

Sipas këtij aktgjykimi, Posta e Kosovës dhe Telekomi i Kosovës janë detyruar që në mënyrë solidare t’ia kompensojë Jasharit ndryshimin e diferencës në paga për periudhën kohore nga 3 shtatori 2010 deri më 6 shkurt 2012 në shumë prej 19,321.39 euro, në emër të kamatës 928.41 euro ndërsa nga 31 dhjetori 2012 e tutje kamatën ligjore deri në pagesë defintive.

Po ashtu, të paditurat janë detyruar që në emër të diferencës së kontributeve të paguajnë në Trustin Pensional në emër të paditësit shumën prej 3,389.41 euro dhe tatimin Administratës Tatimore të Kosovës në afat prej 7 ditësh si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë prej 1,584.00 euro.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar, ndërsa lartësinë e kërkesëpadisë, gjykata e ka mbështetur në ekspertizën financiare të bërë për këtë rast.

Sipas aktgjykimit, gjykata nuk i ka marrë për bazë pretendimet e të paditurës lidhur me afatshmërinë e padisë, pasi siç thuhet, gjykata në vitin 2012 e kishte refuzuar si të pabazuar pretendimin se padia kishte qenë e paraqitur pas afatit.

Ndryshe, ky rast ishte vendosur edhe njëherë nga gjykata, ashtu që padia ishte aprovuar si e bazuar, por lënda ishte kthyer pastaj në rigjykim nga Gjykata e Apelit.