Bankat kryejnë më pak aktivitete bankare me norma interesi në zero
Sistemi bankar mund të quhet biznesi i udhëtimit në kohë. Kur klientët depozitojnë para në një bankë, ata e shtyjnë konsumin e tyre. Kur huamarrësit marrin hua, ata tërheqin konsumin e ardhshëm para kohe. Bankat e lehtësojnë këtë me magjinë e normave të interesit.
Kur ato japin hua dhe ngarkojnë interes, ose paguajnë interes për depozitat, ato në të vërtetë vendosin një çmim ndaj vetë kohës. Por kur normat e interesit janë zero, ose edhe negative, ky truk bëhet shumë më i vështirë për t’u realizuar.
Dukuria nuk është aspak e re. Normat e interesit kanë ardhur duke u ulur për dekada me radhë dhe kanë qenë nën zero në Japoni dhe në Europë për gjysmë dekade. “Ne jemi ankuar për vite me radhë për mjedisin me normë të ulët interesi dhe na ka ardhur në majë të hundës”, thotë Christian Sewing, shefi i Deutsche Bank në Gjermani. “Ky është normaliteti i ri”.
Në planin afatshkurtër, normat e ulëta të interesit mund të jenë pozitive për fitimet, duke stimuluar ekonominë dhe duke rritur çmimet e aseteve, dhe të dyja këto gjëra nxisin bankat. Por normat e ulëta të interesit për një kohë të gjatë janë si gjemba për bankierët, pasi ato shoqërohen me të ardhura neto më të ulëta nga interesi. Mund të jetë e vështirë për bankat që të kalojnë norma të ulëta interesi për depozita, ndërsa normat e interesit bien, por ato shpesh duhet të ulin normat e interesit për kreditë.
Zoti Sewing e kupton mirë këtë. Megjithëse normat e politikës së interesit në Europë kanë qenë negative që nga viti 2014, vetëm vitin e kaluar, ai u tha punonjësve që përgatiteshin dhe të ngarkonin norma negative për klientët. Bankierët në të gjithë Europën kishin kohë që shqetësoheshin “nëse e bëjmë këtë, do të humbasim klientë”. Frika doli e pabazë. Vitin e kaluar, shumë banka kanë ngarkuar norma negative për klientët, përfshirë Deutsche Bank, e cila i ngarkoi ata me më shumë se 80 miliardë euro (97 miliardë dollarë) në depozita.
Për shumicën e bankave, një mjedis “me norma të ulëta interesi për një kohë të gjatë” kërkon ndryshime të mëtejshme. Në kushtet e mungesës së të ardhurave neto nga interesi, bankierët kërkojnë të ardhura nga tarifat për menaxhimin e investimeve ose emetimin e letrave me vlerë. “Sa më e larmishme të jetë struktura, aq më mirë”, thotë z. Sewing.
Impulsi për të diversifikuar duket universal. Michael Brei, Claudio Borio dhe Leonardo Gambacorta, nga Banka për Zgjidhjet Ndërkombëtare, studiuan aktivitetet e 113 bankave të mëdha kryesisht në vendet e pasura, ku normat e interesit kanë qenë më të ulëta.
Ata zbuluan se, ndërsa normat afroheshin drejt zeros, bankat ribalancoheshin duke u larguar nga marrja e depozitave dhe huazimi, të cilat gjenerojnë interes, dhe duke u përqendruar në aktivitetet e ndërmjetësimit që nxjerrin të ardhura nga tarifat. Këto efekte ishin më të mëdha për një kohë afatgjatë, gjë që tregon se ky mjedis nuk nxitet vetëm nga rënia mekanike e të ardhurave nga interesi si një pjesë e fitimeve, por edhe nga një përpjekje e qëllimshme për të rregulluar aktivitetin.
Pra, çfarë ndodh nëse fitimet e dobëta i dëmtojnë bankierët? Problemi është se problemet e tyre mund të shkaktojnë vështirësi për të gjithë të tjerët. Ndërsa marzhet e bankave tkurren, kapitali i tyre ulet, gjë që mund të pengojë aftësinë e bankave për të dhënë hua. Ekonomistët prej kohësh shqetësohen se këto dinamika bien ndesh me politikën monetare në kufirin e poshtëm.
Ulja e normave të interesit duhet ta stimulojë huadhënien, jo ta kufizojë atë. Markus Brunnermeier, nga Princeton University dhe Yann Koby nga Brown University, e quajnë normën e interesit nën të cilën një ulje e mëtejshme e normës ka efekte depresive, si “norma e anasjelltë”. Dhe ata kanë zbuluar se efektet përkeqësohen kur kufizimet e kapitalit janë të shtrënguara, duke i penalizuar bankat e mëdha, gjë që i detyron ato të mbajnë edhe më shumë depozita. /Monitor.al/