Kurti: Prioritet menaxhimi i pandemisë dhe rikuperimi i pasojave ekonomike

Menaxhimi i pandemisë Covid-19, rikuperimi i pasojave ekonomike dhe reforma në administratën publike janë ndër prioritet kryesore të Qeverisë Kurti 2.

Kështu tha kryeministri Albin Kurti në takimin e parë të Komitetit Drejtues të Kornizës së bashkëpunimit të Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm (UNSDCF) 2021-2025.

Kryeministri Kurti tha po ashtu se prioritet tjetër mbetet edhe fuqizimi i qeverisjes, sundimi i ligjit dhe transformimi ekonomik që reflekton për ta integruar Kosovën në BE.

Reklama e sponzorizuar

Kurti: Prioritet shëndeti publik dhe ringjallja ekonomike

“Për qëllim kemi të fokusohemi në dy prioritetet themelore, e para ka të bëjë me fokusin ndaj menaxhimit të pandemisë Covid-19 dhe të minimizohen pasojat dhe shëndeti i publikut. Dhe e dyta është që të fokusohemi në përmirësimin e pasojave të cilat janë shkaktuar në ekonomi nga pandemia, që kërkon mobilizimin e gjithë shtetit. Fuqizimi I qeverisjes dhe sundimit të ligjit, transformimi ekonomik dhe social janë po ashtu prioritetet kyçe për të siguruar gjithë përfshirje sociale për të gjithë qytetarët në Kosovë. Ky program reflekton orientimin e përgjithshëm të qeverisë sa I përket aspiratave tona drejt aderimit në Bashkimin Evropian”, theksoi Kurti.

Ulrica Richardson, koordinatore e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, tha se prioritetet kyçe për pesë vitet e ardhshme mbeten qeverisja transparente, cilësia dhe transformimi i ekonomisë, drejtë një ekonomie të gjelbër.

Me anë të këtij bashkëpunimi, ajo tha Kosova përfiton për reagimin e vazhdueshëm ndaj Covid-19.

Richardson: Kërkohet qeverisje transparente dhe efikase

“Prioritetet kyçe për pesë vitet e ardhshme në bashkëpunimin dhe kornizën e punës së përbashkët i kemi për promovimin e qeverisjes transparente, cilësia, qasja në shërbimet publike. Po ashtu, transformimi i ekonomisë drejtës një ekonomie të gjelbër dhe përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrale. Duke fuqizuar në të njëjtën kohë gjithë përfshirjen sociale, kohezionit social… Korniza bashkëpunimit po ashtu integron reagimin e vazhdueshëm ndaj Covid-19, pra kjo kornizë e mbështet Kosovën në zhvillimet e qëndrueshme”, theksoi Richardson.

Në fund Richardson theksoi se në partneritet me Qeverinë e Kosovës synojnë të arrijnë rezultate të mira.