Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për Telegrafin, ka treguar se çfarë do të ndodhë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Deputetja Kusari-Lila ka thënë se në muajin tetor do të iniciohet Ligji për Transformimin e AKP-së.
“Shumë shpejtë do të prezantohen emrat e Bordit të ri të AKP-së nga Qeveria në Kuvend, e dyta është krijimi i strategjisë prej tani deri në mbyllje. Në muajin tetor ku e kemi paraparë me agjendë legjislative Ligjin për Transformimin e AKP-së që e kemi të iniciuar në Kuvend”, thotë Kusari-Lila.
Ajo tregon se do të bëhet vlerësimi i aseteve, kontratave dhe proceseve të kontestuara ligjore.
“Për brenda do të bëhet vlerësimi i aseteve të mbetura, vlerësimi i kontratave aktuale të qiradhënies dhe vlerësimi i proceseve të kontestuara të cilat ndodhen në Dhomën e Veçantë të Gjykatës”, tregon ajo.
Sipas Kusari-Lilës, gjithashtu do të bëhet edhe vlerësimi i brendshëm i agjencisë, duke bërë përgatitjen për themelin e Fondit Sovran.
“Në kuadër të këtij procesi, natyrisht do të bëhet edhe një vlerësim i brendshëm i AKP-së dhe vlerësim i punëtorëve, gjegjësisht përgatitjet profesionale dhe natyrisht pastaj përgatitja për themelimin e Fondit Sovran dhe sa prej tyre mund të transferohen në këtë Fond”, përfundon Kusari-Lila.
Në këtë intervistë, ajo ka folur edhe për qeverisjen Kurti, për akuzat e opozitës për punësime familjare nga LVV dhe “kapjen” e institucioneve, për dialogun dhe për zgjedhjet lokale.