E ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Arrita Gjakova dhe ambasadori i Irlandës në Mbretërinë e Bashkuar, Adrian O’Neill, kanë nënshkruar sot në Londër Marrëveshjen për eliminim të tatimit të dyfishtë sa i përket tatimit në të ardhura dhe parandalimin e evazionit dhe shmangies fiskale mes Republikës së Kosovës dhe Irlandës.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes të dyja shteteve dhe bashkëpunimit në çështjet tatimore. Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje do të mundësohet aplikim më i drejtë dhe thjeshtëzuar i tatimeve për shtetasit e Kosovës që jetojnë në Irlandë dhe anasjelltas.
Po ashtu, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje paraqet një hap të rëndësishëm në zbatim të kërkesave që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim me BE-në, duke përafruar Kosovën në të ardhmen e saj evropiane.