Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e auditimit të performancës “Menaxhimi i kontratave publike të ndërtimit”, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami tha se 60 milionë euro janë shpenzuar për ndërtimin e objekteve arsimore e kulturore.
Deputetja Jetmire Vrenezi nga VV-ja, tha se ka pasur shumë parregullsi dhe paqartësi lidhur me realizimin e projekteve.
Tutje ajo tha se ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit nuk i kanë përfillur rekomandimet e auditorit, duke përjashtuar këtu ministrinë e Administratës Publike.
Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku iu adresua pyetje lidhur me çështjen e investimeve dhe kontratave dhe se cili është plani i tij për adresimin e këtij problemi.
Çeku tha se qysh nga marrja e detyrës kanë kërkuar pasqyrimin e projekteve dhe kontratave me çka edhe kanë ndërmarrë masa kudo që kanë hasur në shkelje.
“Çështja e auditimit të performancës, ne kemi filluar punën menjëherë, duke kërkuar pasqyrimin e të gjitha projekteve dhe kontratave, dhe kemi skanuar këto kontrata duke marrë edhe masa ndaj dyshimeve për vepra penale”, tha Çeku.
Ministri poashtu ceki që janë 12 projekte që i ka skaduar afati bazë dhe të tjera që detyrohen t’i anulojnë.
Zv.ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha se sa i përket kontratave kanë aranzhuar një kompani për të avancuar këtë çështje, raporton EO.
“Një vërejtje e auditorëve ka të bëjë me kontratat, dhe një gjë të tillë e ka bë kjo ministri, ku ka aranzhuar një kompani sa i përket ndërtimeve, dhe besojmë që kjo e avancon sektorin e kontratave”, tha Pupovci.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra tha se do të kërkojnë llogari nga secili për të parë tutje se sa janë respektuar rregullat dhe rekomandimet nga ky raport.