Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) vetëm gjatë vitit 2020 ka shpenzuar nga buxheti i saj gjithsej 122 mijë e 738 euro, për t’i paguar 25 punonjësit e komunitetit serb, pa marrë asnjë shërbim të vetëm nga ta.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj për vitin 2020 për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka konstatuar se këta punonjës nuk kanë punuar asnjëherë për MTI-në që nga viti 2016 kur edhe ishin nënshkruar aktemërimet e tyre. Pra MTI-ja ka paguar këta punonjës për katër vite rresht edhe pse të njëjtit nuk kanë vijuar punën asnjëherë në këtë ministri.
“Këta punonjës nuk kanë punuar asnjëherë për MTI që nga viti 2016 kur edhe janë nënshkruar aktemrimet a tyre. Shpenzimi në total për pagat e këtyre të punësuarve për vitin 2020 ishte 122,738€, edhe pse për të njëjtit nuk ka dëshmi të vijimësisë në punë”, thuhet në raport.
Arsyetimi që kishte dhënë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për ZKA-në, ishte se shkak kryesor i mosangazhimit të këtyre punëtorëve në ministri, ishte mungesa e hapësirave të punës në komunat përkatëse.
ZKA-ja tregon tutje se ministria në fjalë kishte marrë të njëjtin rekomandim edhe në raportin e auditimit të vitit 2019 për sigurimin e hapësirave punuese për këta punonjës, mirëpor përkundër përpjekjeve të ministrisë më 2020 për adresimin e së njëjtës çështje, ky proces ka mbetur ende i parealizuar nga ana e MTI-së.
Ndryshe, angazhimi i punonjësve nga komuniteti serb nëpër ministri e institucione shtetërore në Kosovë vjen nga Marrëveshja e Brukselit si rrugë për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Përmes këtij vendimi, si çdo ministri tjetër, edhe MTI-ja ka të angazhuar 25 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës.
E pagesa e pagave për punëtorët që nuk vijojnë punën shkakton drejtpërdrejt dëmtim të buxhetit të shtetit, më konkretisht të ministrisë, dhe njëherit ndikon edhe në mosarritjen e objektivave të përcaktuara me marrëveshje, shpjegon Auditori.
ZKA-ja i rekomandon ministrisë që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të komunitetit serb, duke bërë monitorimin e tyre të vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet ligjore. /Buletini Ekonomik/