Nafta e nis javën në rritje- Mbështetet nga rikthimi i trafikut në nivelet e parakrizës

Fotografi ilustruese

Nafta po qëndron në rritje në sesionin e sotëm, dhe po tregtohet në nivelin më të lartë në më shumë se 2 vite, e mbështetur nga rimëkëmbja ekonomike dhe nga pritshmëritë për rritjen e shpejtë të kërkesës, sidomos në vendet e zhvilluara.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 73 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2019. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 71 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga tetori i vitit 2018.

Sipas të dhënave, trafiku i automjeteve në Europë dhe në Amerikën e Veriut është rikthyer në nivelet e para pandemisë, ndërsa gjithmonë e më shumë avionë po fluturojnë pas lehtësimit të masave kufizuese.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu, humori i investitorëve është përmirësuar ndjeshëm nga samiti i G7-ës, ku vendet më të pasura në botë ranë dakord të bashkëpunojnë për çështjet më kryesore, si rimëkëmbja nga pandemia dhe dhurimi i 1 miliard dozave të vaksinës për vendet e varfëra.

Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon se kërkesa globale për naftë do të rikthehet në nivelet e parakrizës në fund  të vitit 2022, më shpejt se parashikimet fillestare. Për këtë arsye, Agjencia i bëri thirrje OPEC+ të rrisë prodhimin për t’ju përgjigjur rritjes së kërkesës./Scan tv/