Operatorë turistikë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë ndarë me Euronews Albania problematikat, kërkesat, prenotimet dhe destinacionet që kanë zgjedhur shqiptarët në të tria shtetet për të pushuar këtë verë.
Flamur Bahtijari, operator turistik në Kosovë, tha se destinacioni më i preferuar për shtetasit nga Kosova këtë sezon është Turqia, por mbetet i lartë interesimi për destinacione lokale si Mali i Zi dhe Shqipëria.
Kjo e fundit, sqaroi Bahtijari, mbetet e preferuar nga pushuesit nga Kosova për fundjava, ndërsa prenotimet për destinacionet e tjera janë nga 6 net e më lart.
“Jemi shumë më mirë se vjet, por mbetet frika e së panjohurës. Ka edhe prenotime të minutës së fundit dhe kjo lidhet me masat, që kanë qenë të paparashikuara deri sot”, tha z. Bahtijari.
Veton Grubi, operator turistik në Maqedoninë e Veriut, shpjegoi se në RMV mbeten tradicionale kërkesat për prenotime, ku destinacioni i preferuar ashtu si edhe vjet mbetet Greqia, ndërsa këtë vit janë shtuar kërkesat edhe për Shqipërinë dhe Turqinë.
Ai sqaroi se Shqipëria është vend që preferohet, por nuk është destinacion që kërkohet për pushime të gjata, kryesisht në fundjavë.
“Greqia mbetet destinacioni kryesor sot. Kërkesa sa vjen e shtohet për shkak të përmirësimit të situatës së pandemisë”, tha Grubi.
Arben Çipa, operator turistik në Shqipëri, zbuloi se edhe për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri një nga destinacionet kryesore të zgjedhura për të pushuar këtë vit është Turqia.
Ai shpjegoi se siç ka ndodhur në mënyrë klasike çdo vit tjetër, edhe këtë vit shqiptarët zgjedhin korrikun dhe gushtin për të prenotuar pushimet, ndërsa nënvijëzoi se këtë vit janë shtuar ndjeshëm edhe pushimet me fundjava.
“Shqiptarët i janë rikthyer Turqisë, për një kohë fluturuan drejt Dubait, por tani janë përqendruar në Turqi, për kostot më të ulëta dhe për faktin se kombinimi i vajtjes në Turqi është i përshtatshëm”, tha Çipa.
Sa i përket tregut të turistëve të huaj që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar, z. Çipa tregoi se në vend të parë mbeten turistët polakë, të ndjekur nga ata çekë, rusë, por edhe spanjollë.