Vendimi i qeverisë për mbulimin e plotë të obligimit të sigurimit kufitar për të gjithë mërgimtarët që janë subjekt i policës kufitare, e që buxhetit të Kosovës pritet t’i kushtojë deri në gjashtë milionë euro, është duke u kundërshtuar nga përfaqësuesit që merren me mbrojtjen e punëtorëve në sektorin privat.
Ata një vendim të tillë të qeverisë Kurti e kanë quajtur diskriminues dhe rëndues për buxhetin e konsumatorëve, në veçanti të atyre në sektorin privat. Kryetari i Sindikatës të Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është e papranueshme që punëtorëve me pagë 170 euro t’u merren para për t’ua paguar mërgimtarëve polisat e sigurimeve, të cilët, sipas tij, kanë standard më të lartë të jetesës.
Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin të martën ka vendosur që nga 1 korriku ta bëjë mbulimin e plotë të obligimit të sigurimit kufitar për të gjithë mërgimtarët që janë subjekt i policës kufitare. Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se parashikohet që pagesa e polisës kufitare për diasporën të kushtojë nga 5 deri në 6 milionë euro.
Ky vendim i qeverisë është konsideruar i papranueshëm dhe diskriminues për qytetarët e Kosovës, në veçanti për punonjësit e sektorit privat nga kryetari i Sindikatës të Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, Selatin Kaçaniku nga OJQ “Konsumatori” dhe nga drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala.
Jusuf Azemi ka thënë për gazetën “Epoka e re” se vendimi i qeverisë Kurti II për pagesën e polisave kufitare për bashkatdhetarët do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen e punëtorëve në sektorin privat. Ai ka thënë se është e papranueshme që punëtorëve me pagë 170 euro t’u merren para për t’u paguar polisat bashkatdhetarëve të cilët kanë standard më të lartë të jetesës.
Sipas tij, ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te punonjësit të cilët paguhen me pagë minimale prej 170-eurosh.
“Çdo vendim i Qeverisë së Kosovës i cili shkon në favor të çdo kategorie, qoftë të njerëzve që jetojnë në Kosovë, por edhe bashkatdhetarëve, neve na gëzon. Megjithëkëtë, me vendimin e Qeverisë së Kosovës jemi shumë të irrituar, pasi nëse e bëjmë një krahasim me standardin jetësor të punëtorëve tanë të cilët për atë taksë duhet të paguajnë nga paga e tyre minimale prej 170-eurosh, i bie se duhet të financohen njerëzit e kategorisë së pasur nga pagat e të varfërve”, ka thënë Azemi.
Me anë të këtij vendimi, sipas tij, qeveria ka vendosur që nga të varfrit t’i paguajë të pasurit. Ai ka potencuar se në vend të këtij vendimi kjo qeveri do të duhej ta rriste pagën minimale dhe të krijonte kushte për punonjësit e sektorit privat ashtu siç ishte premtuar.
“Po ta rriste pagën minimale, siç ka premtuar kryeministri i Kovës dhe të krijonte kushte për punëtorët e sektorit privat, siç thoshte se ‘do ta mbikëqyrim zbatimin e Ligjit të Punës dhe marrëveshjet kolektive, atëherë do të ishte më ndryshe. Megjithëkëtë, jemi të indinjuar karshi këtij vendimi e që për premtimet që na janë dhënë ne s’po lëvizet fare. Për ne ky vendim është i paarsyeshëm. Sikur kjo të shkonte paralel me krijimin e kushteve për punonjësit e sektorit privat, atëherë do t’i gëzoheshim këtij vendimi. Pra, me këtë vendim po merren paratë nga fukarenjtë për t’i ndihmuar të pasuritë. Ne po flasim vetëm nga aspekti ynë. Të ndash mjete nga paga jonë prej 170 eurosh për njerëzit që marrin mijëra euro, për ne është vendim i paarsyeshëm që ka shkaktuar pakënaqësi sidomos te punëtorët që marrin pagë minimale”, ka deklaruar Azemi.
Ndërsa Selatin Kaçaniku nga OJQ “Konsumatori” ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ky vendim i Qeverisë së Kosovës do ta rëndojë xhepin e konsumatorëve dhe, sipas tij, para se të merrej ky vendim, do të duhej të gjendeshin alternativa të tjera të financimit.
“Vendimi është i mirë dhe për këtë çështje do të duhej që të merrej vendim më herët. Buxheti që ne e kemi buron nga remitencat, por qeveria do të duhej të gjente alternativa të tjera, e jo të preket xhepi i konsumatorit. Mund ta bëjë këtë nga burimet e tjera ekonomike, si prodhimi apo eksporti dhe të jetë më konstruktive, e mos t’ua bëjë qytetarëve jetën edhe më të vështirë”, ka thënë Kaçaniku.
Më tutje, ai ka thënë se duhet të ndalet praktika e pagesave të rrymës dhe ujit për pjesën veriore, po ashtu edhe vendimet me anë të të cilave kryhen pagesat nga xhepi i konsumatorëve. Sipas tij, kjo qeveri, por edhe ato parapraket, s’e kanë pasur hallin e ekonomisë.
“Kjo qeveri çfarë është dhe ato që ishin në 20 vjetët e fundit kanë mbijetuar falë kontributit nga xhepi i konsumatorit dhe asnjë polikë konstruktive në favor të prodhimit dhe të eksportit s’kanë qenë në gjendje ta krijojnë. Qeverisë s’i lejohet ta paguajë rrymën për pjesën veriore të konsumatorëve dhe ta paguajë ujin. Mos të harrojmë se 2/3 e administratës publike është tepricë që merr paga nga konsumatorët”, ka thënë Kaçaniku.
Shala: Vendimi i qeverisë për polisat kufitare, politik dhe për ta ruajtur votën
Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, ka thënë se vendimi për lirimin e polisave kufitare për bashkatdhetarët është i natyrës së poenëve politikë. Sipas tij, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut, por karshi këtij vendimi të qeverisë do të duhej të ketë lehtësira edhe për qytetarët e Kosovës.
“Edhe ne planin parazgjedhor, por edhe në plan të qeverisë, ishte paraparë që bashkatdhetarëve t’ua paguajmë polisat e sigurimit dhe ata mos të bëjnë shpenzime, pasi ishte ndër premtimet kryesore me anë të së cilës i ka fituar shumë vota nga diaspora. Prandaj është dashur që këto mjete të merren nga buxheti i Kosovës. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut pasi nuk po e diskriminon dikë për ta favorizuar dikë. Qeveria e ka mbajtur këtë premtim. Polisa për bashkatdhetarët është e panevojshme, mirëpo kompanitë e sigurimeve janë ankuar që bashkatdhetarët po u shkaktojnë dëme për shkak të numrit të lartë të aksidenteve. Është dashur që të ketë një respektim edhe për qytetarët brenda Kosovës, pasi janë shtrenjtuar sigurimet për 30 për qind. Ata që vijnë nga jashtë janë të liruar dhe kjo është më tepër potez politik dhe elektoral, pasi afër janë zgjedhjet lokale dhe është përpjeke për ta ruajtur votën”, ka thënë Shala.
Ai për të hequr në tërësi polisën kufitare ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë një amnisti për numrin e makinave të paregjistruara dhe të kërkojë nga një shtet që të aplikojë në emër të Kosovës për anëtarësim në “Kartonin e Gjelbër”.
“Qeveria Kurti ka kërkuar që të hiqet polisa e sigurimeve. Më parë e kishin potencuar për qytetarët e Luginës së Preshevës dhe më vonë doli premtimi edhe për diasporën pasi u rreshtua në anën e Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk është problem Qeveria e Kosovës ta shpallë një amnisti për veturat e paregjistruara dhe ndër shkaqet që nuk futemi në ‘Karton të Gjelbër’ është numri i lartë i automjeteve të paregjistruar dhe ta gjëje një shtet që aplikon në emër të Kosovës pasi kjo çështje është më shumë e natyrës politike”, është shprehur Shala.