Pandemia uli pagat, rriti papunësinë dhe çmimet në Kosovë

Pandemia Covid-19 rriti numrin e të papunëve në Kosovë. Shtrëngimet ekonomike që erdhën si pasojë e pandemisë, kanë prekur dukshëm tregun e punës. Gjatë pandemisë kanë shënuar rënie edhe pagat. Në vitin 2020, pagat mesatare bruto në Kosovë ishin 466 euro, kurse në vitin 2019 ishin 477 euro. Pa u prekur nuk kanë mbetur as çmimet, të cilat u rritën 0.2%

Viti 2020, i cili tashmë njihet si viti i pandemisë, ka qenë mjaft i rëndë për qytetarët e Kosovës. Gjatë këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë mbetur pa punë, kanë paguar më shtrenjtë çmimet e konsumit dhe janë përballur me ulje të pagave.

“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e punësimit ra nga 29.1% në tremujorin e parë në 24.1% në tremujorin e dytë të vitit 2020, kurse papunësia shënoi rritje prej 2.2 pikë përqindjeje prej tremujorit të parë të vitit 2020, me 25% në tremujorin e dytë me 27.2%. Sipas Administratës Tatimore në Kosovë (ATK), industritë që pësuan mesatarisht rënien më të madhe të punëtorëve mes viteve 2019-2020 ishin transporti dhe magazinimi me 2,668 punëtorë, administrimi publik me 1,509 punëtorë, tregtia dhe riparimi i mjeteve motorike me 1,406 punëtorë”, ka thënë Instituti GAP në një hulumtim të bërë mbi ndikimin e pandemisë.

Reklama e sponzorizuar

Në të njëjtën kohë, GAP thotë se edhe numri i punëkërkuesve aktivë u rrit, pjesërisht si rezultat i pushimit nga puna të një pjese të popullsisë, si dhe nga masat emergjente fiskale të qeverisë që mbështetnin ata që regjistroheshin si të papunë pranë qendrave të punësimit.

“Nga muaji mars e deri në shtator të vitit 2020, muaj këta të parë që Kosova po përballej me COVID-19, në Agjencinë e Punësimit në Kosovë janë regjistruar më shumë se 198 mijë punëkërkues. Shumica nga punëkërkuesit i përkisnin grupmoshës 25-39 vjeç”.

Instituti më tej thekson se, sipas Agjencisë së Punësimit në Kosovë (APRK), nga muaji mars 2020, numri i punëkërkuesve aktivë filloi të rritet dukshëm, duke arritur kulmin në muajin shtator me më shumë se 198 mijë punëkërkues.

Në këtë hulumtim, GAP thotë se janë analizuar punëkërkuesit edhe sipas karakteristikave të tyre, si mosha, gjinia dhe niveli i edukimit, del se shumica e punëkërkuesve i përkisnin grupmoshës 25-39 vjeç, burrat dhe gratë ishin pothuajse të barabartë në numër, kurse për nga niveli i shkollimit, dominonin ata të pashkolluar dhe me shkollë fillore ose të mesme.

GAP i ka rekomanduar Agjencisë së Punësimit në Kosovë që të rriten kapacitetet që të mundësojnë shtimin e punësimit sidomos për grupet e caktuara dhe të ndjeshme.

“Andaj, me qëllim të përmirësimit të tregut të punës në përgjithësi, Instituti GAP rekomandon që Agjencia e Punësimit në Kosovë të ketë ngritje të kapaciteteve që të mundësojë shtimin e punësimit, sidomos për grupe të caktuara dhe të ndjeshme punëkërkuesish. Po ashtu, sugjerohet që agjencia vazhdimisht të ketë mundësi mbledhjen e të dhënave më të hollësishme rreth statusit të punësimit të punëkërkuesve të regjistruar, dhe që të ofrojë më shumë trajnime apo orientimi në karrierë, sidomos në ato industri ku pritet të ketë nevojë për punëtorë”.

Rini e mbetur papunë

Papunësia në Kosovë është një nga sfidat kryesore edhe pas 13 vitesh pavarësi. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, shkalla e papunësisë ka qenë 45%, ndërsa kjo shifër ka rënë ndër vite.

Në vitin 2012 në Kosovë, shkalla e papunësisë kishte rënë në 30,9%, ndërsa në vitin 2013, në 30%. Rritje të shkallës së papunësisë, Kosova përjetoi në vitin 2014 kur ajo shkoi në 35,3%, për të vazhduar rënien në vitin 2015 në 32,9% e pastaj në vitin 2016, në 27,5%.

Në vitin 2017, shkalla e papunësisë sërish u rrit në 30,5%, për të rënë sërish edhe më shumë në 29,6% në vitin 2018 dhe në 25,7% në vitin 2019.

Shkallën më të ulët të papunësisë, Kosova e përjetoi në vitin që lamë pas kur 24,6% e popullsisë u regjistruan si të papunë, ndërsa ende nuk dihet se cili do të jetë raporti me vitin 2021, si vit i krizës shëndetësore me pandeminë COVID-19, e cila reflektoi edhe në krizë ekonomike, që u përkthye në humbje të vendeve të punës.

Mirëpo numri i të rinjve të papunë në Kosovë mbetet tejet i lartë. Sipas këtyre të dhënave në Kosovë, 49.1% e të rinjve të moshës nga 15-24 vjeç janë të papunë. Kosova ndiqet nga Bosnja me shkallë të lartë të papunësisë tek të rinjtë me 36.6%. Vlen për t’u theksuar se Shqipëria qëndron më mirë në Ballkanin Perëndimor sa i përket punësimit të të rinjve.

Pavarësisht këtyre statistikave, numri i të papunëve në Kosovë mund të ndryshojë edhe për shkak se në disa sektorë, shkalla e informalitetit është më e lartë dhe punëtorëve nuk iu paguhet trusti dhe nuk kanë kontrata të rregullta pune.

Bizneset i ulën pagat gjatë pandemisë

Pagat e punëtorëve në Kosovë vitin e kaluar shënuan rënie. Madje kjo vërehet më së shumti në kohën e pandemisë. Në vitin 2012, paga mesatare bruto në Kosovë ishte 383 euro, kurse në vitin 2019 ishte 477 euro, ndërsa në vitin 2020 ra në 466 euro – 11 euro më pak krahasuar me vitin paraprak.

“Paga neto nga 348 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 430 euro në vitin 2019, ndërsa në vitin 2020 kemi rënie në 416 euro, me një rënie prej 14 euro nga viti paraprak”, thuhet në raportin “Niveli i pagave në Kosovë 2020”, i hartuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas ASK-së, kjo rënie e pagës mesatare erdhi për shkak të pandemisë COVID-19 që përfshiu edhe Kosovën në vitin 2020 dhe masave të ndërmarra nga qeveria, ku si pasojë ndodhi mbyllja dhe reduktimi i aktivitetit të sektorit privat.

“Për shkak të pandemisë COVID-19, që përfshiu edhe Republikën e Kosovës në vitin 2020 dhe masave të ndërmarra nga Qeveria, ku si pasojë kemi mbylljen dhe reduktimin e aktivitetit të sektorit privat, kemi rënie të pagës mesatare, si bruto, ashtu edhe neto në këtë sektor. Pasi në sektorin privat kemi numrin më të lartë të të punësuarve në raport me numrin e përgjithshëm të të punësuarve në vend, gjë që ka ndikuar në rënien e pagës mesatare si bruto, po ashtu edhe neto në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Siç ka treguar ASK te të dhënat e sektorit privat nuk janë të përfshira shtesat në pagën mujore, sepse ato përfshihen në deklaratën vjetore si qarkullim. Ndërsa në sektorin publik (pagat që paguhen nga Buxheti i Republikës së Kosovës) vërehet një rritje më e theksuar e pagës bruto dhe neto, krahasuar me vitet paraprake, e cila ka ardhur për arsye të përfitimit të shtesave në sektorët specifikë.

“Në vitin 2020, pagat mesatare bruto në Kosovë ishin 466 euro, kurse në vitin 2019 ishin 477 euro – një rënie prej 11 eurosh nga viti paraprak. Kurse, paga neto, në vitin 2020 ishte 416 euro, krahasuar me vitin 2019, e cila ishte 430 euro – një rënie prej 14 eurosh. Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020 ishte 380 euro, derisa në vitin 2019 ishte 411 euro – një rënie prej 31 eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto për vitin 2020 ishte 342 euro, krahasuar me vitin 2019 që ishte 372 euro – një rënie prej 30 eurosh”.

Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa, në vitin 2020 ishte 624 euro, duke u rritur për 217 euro, ose 53.3%. Ndërsa, paga mesatare neto nga 366 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 552 euro në vitin 2020.

Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i ndërmarrjeve publike, ndërsa me paga më të ulëta ishte sektori privat.

Paga mesatare neto në vitin 2020, sipas aktiviteteve ekonomike, ka të njëjtën renditje si më poshtë: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (842 euro); Informim dhe komunikim (616 euro); Akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim (200 euro).

Ndërkohë, premtimi i Qeverisë për rritjen e pagës minimale në 250 euro nga 130-170 euro sa është tani, do t’iu mundësonte mbi 108 mijë punëtorëve paga më të mira dhe më të dinjitetshme, vlerësojnë nga sektori privat në vend. Paga minimale në Kosovë që nga viti 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Çmimet e konsumit shënuan ngritje

Gjatë vitit 2020, në Kosovë, çmimet e konsumit shënuan rritje krahasuar me vitin paraprak. Çmimet e konsumit në periudha të shkurta kohore gjatë vitit 2020, kanë shënuar ndryshime në rritje dhe zbritje të tyre, por në tërësi ato janë ngritur për 0.2%.

Rritje të çmimeve sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë shënuar për produktet bazike ushqimore.

“Rritja e këtyre çmimeve ka qenë kryesisht te buka dhe drithërat, rreth 2.3% dhe e kam fjalën për indeksin e tërësishëm të çmimeve të konsumit. Pastaj te mishi ka pasur një ngritje prej 1.8%, qumështi, djathi dhe vezët kanë pasur ngritje 1.8%, pemët kanë pasur ngritje të çmimit prej 5.0%, kafeja, çaji dhe kakao kanë pasur ngritje të çmimeve për 5.4%, uji, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 1.7%”.

Rritje të çmimeve prej 3.4% kanë shënuar sheqeri dhe ëmbëlsirat, ndërkaq duhani 1.3%. Rritje të çmimeve prej 4.4% kanë shënuar produktet mjekësore, aparaturat dhe pajisjet, ndërkaq shërbimet telefonike dhe të telefaksit për 2.2%. Shërbime hoteliere kanë shënuar rritje prej 2.3%, sigurimet 15.7, pajisjet shtëpiake 1.0%, shërbimet ambulatore 5.8% e të tjera.

Po ashtu, në vitin 2020 janë shënuar rënie të çmimeve të perimeve për – 5.5%, si dhe rënie të çmimeve, të cilat janë shprehur te përdorimi i pajisjeve për transportin personal për – 12.0%. Në këtë rënie të këtyre çmimeve ka ndikuar rënia e çmimeve të naftës dhe benzinës. Rënie të çmimeve ka pasur edhe te veshjet për minus 1.2%.

Bazuar në statistikat e regjistruara për vitin 2020 nga të ardhurat që ka një ekonomi familjare, 47% e tyre shpenzohen vetëm për grupin e ushqimit. Kjo normë e lartë e shpenzimeve për grupin e ushqimit ndikon drejtpërdrejt në standardin e jetesës të ekonomive familjare.

Edhe në vitin 2021, çmimet e konsumit kanë shënuar lëvizje dhe rritje, duke e rënduar edhe më tej gjendjen e konsumatorëve dhe të ekonomive familjare në Kosovë./monitor.al/