Shkalla e papunësisë për tremujorin e katërt 2020 në Kosovë ka arritur në 27 për qind, krahasuar me tremujorin paraprak që ishte 24.6 për qind, pra që i bie se brenda tre muajve papunësia është rritur për 2.4 për qind.
Kështu thuhet në Anketën e Fuqisë Punëtore të prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke shtuar se, papunësia më e theksuar ishte te femrat me 33.5 për qind, krahasuar me meshkujt me 24.3 për qind.
Sipas raportit, përcjell Telegrafi, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.7 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 76.2 për qind, krahasuar me meshkujt me 40.9 për qind.
Shkalla e punësimit për tremujorin e katërt është 30.2 për qind. Punësimi me i lartë është te meshkujt me 44.8 për qind, ndërsa punësimi te femrat është 15.8 për qind.
Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 51.5 për qind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit me 43.8 për qind.
Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 15.3 për qind, prodhimi me 13 për qind, ndërtimtaria me 11.1 për qind dhe arsimi me 9.9 për qind.
Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 44.6 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 55.4 për qind kanë kontratë të përkohshme.