Posta e Kosovës kishte filluar të ketë probleme financiare që nga viti 2012, duke bërë që humbjet operacionale në vitin 2020 të arrijnë në 20 milionë e 815 mijë euro.
Sipas Auditorit të Përgjithshëm kjo kishte ndodhur si shkak i mos aplikimit të saktë të kërkesave me rastin e prezantimit të pasqyrave financiare dhe shpalosjeve.
“Bazuar në evidencat e auditimit, kemi arritur në përfundim se shpalosjet e Menaxhmentit lidhur me hipotezën e vijimësisë nuk përshkruajnë në mënyrë të mjaftueshme ngjarjet apo kushtet kryesore që mund të hedhin dyshime të rëndësishme mbi aftësinë e Kompanisë për të vazhduar në vijimësi”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë ndërmarrje për vitin 2020.
Auditori gjeti probleme me klient ndaj të cilëve Posta nuk kishte arritur t’i inkasonte borxhet.
Në raport përmendet “klienti kryesor i ndërmarrjes”, që i detyrohej Postës rreth 2 milionë euro.
“Humbja e mundshme e klientit kryesor të kompanisë dhe një tregu të rëndësishëm, (për vitin 2020 rreth 53% e të hyrave ishin nga ky klient dhe borxhi i pa inkasuar prej tij me datë 31.12.2020 kishte arritur në 1,897,000 Euro), për të cilin ekzistojnë pasiguri materiale që mund të hedhin dyshime të konsiderueshme në aftësinë për të realizuar pasuritë e saj dhe të kryejë detyrimet e saj në rrjedhën normale të biznesit”.
Auditori alarmon se puna në vijimësi e kësaj ndërmarrje është në rrezik, si pasojë e e probleve financiare. /Buletini Ekonomik/