Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për Telegrafin ka thënë se Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike është i mangët.
Kusari-Lila tregon se së shpejti do të bëhet rishikimi i tij.
“Siç e mbani mend Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, së pari nga ne si opozitë, ka qenë Ligj që nuk e ka adresuar qasjen, rimëkëmbjen, gjegjësisht ndihmën, për arsye se nuk ka pasur prioritizim, ku të gjitha kompanitë janë trajtuar njëjtë dhe pagesat kanë qenë uniforme, bile edhe më keq, ku në top listën e atyre që kanë pranuar janë që kanë pasur fitim e jo humbje”, thotë Kusari-Lila.
Ajo shton se nuk ka pasur analizë strukturore të sektorëve që është dashur të ndihmohen.
“Nuk ka pasur analizë strukturore të sektorëve ekonomik në mënyrën se ku duhet të ndihmohet dhe në atë se çfarë duhet të shtyjmë përpara, në mënyrë që mos të ndihen efektet e pandemisë COVID-19”, shton ajo.
Shefja e deputetëve të LVV-së shprehet se vlera prej 200 milionë euro në këtë Ligj është vendos pa planifikim.
“Ka qenë totalisht Ligj i verbër ndaj nevojave aktuale të sektorëve. E dyta, janë plotësuar amendamentet të cilat e kanë stërkequr Ligjin, siç është pagesa e rentës minerare, siç është pagesa e rrymës së shfrytëzuar nga burimet e ripërtritshme për shfrytëzuesit industrial, pra ka shkuar te kompanitë që kanë pasur fitim. Së treti, 200 milionëshi i shumëpërfolur është një vlerë që kuturu është vendosur aty, që nuk e ka bazën në buxhet, që nuk e ka treguar burimin e të hyrave, e mbi të gjitha nuk e ka treguar kriterin e ndarjes”, shprehet ajo.
Në fund, Kusari-Lila thotë se ky Ligj do të rishikohet së bashku me buxhetin.
“Ne e kemi marrë si iniciativë që ta rishikojmë këtë Ligj, që të përcaktojmë standarde të qarta të ndarjes, që të vendosim prioritete, që të përcaktojmë shuma të cilat janë reale për kategoritë në nevojë dhe atë Ligj ta procedojmë në Kuvend bashkë me rishikimin e buxhetit”, përfundon Kusari-Lila.
Në këtë intervistë, ajo ka folur edhe për qeverisjen Kurti, për akuzat e opozitës për punësime familjare nga LVV dhe “kapjen” e institucioneve, për dialogun, për zgjedhjet lokale dhe shuarjen e AKP-së.