Departamenti i Thesarit i ka kërkuar autoriteteve që të hetojnë shpalosjen e disa regjistrave tatimore të përmendura në media që tregojnë se disa nga personat më të pasur në SHBA kanë paguar pak ose fare taksa mbi të ardhurat.
Media amerikane ProPublica theksoi se ka siguruar një sasi të madhe të të dhënave nga Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave (IRS) për kthimet tatimore të mijëra personave të pasur, në një periudhë 15 vjeçare.
Të dhënat treguan se miliarderë përfshirë themeluesin e Amazon, Jeff Bezos dhe të Tesla, Elon Musk, nuk kanë paguar taksa federale të të ardhurave për disa vite. Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, tha se “çdo publikim i paautorizuar i informacionit konfidencial qeveritar është i jashtëligjshëm”.
Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave, pjesë e Departamentit të Thesarit, është agjencia e mbledhjes së taksave në vend dhe shumë regjistra tatimore konsiderohen si dokumenta konfidenciale.
Komisioneri i agjencisë, Charles Rettig, konfirmoi gjithashtu hetimin. ProPublica i përshkroi regjistrat e taksave si konfidenciale dhe nuk ka bërë të ditur se si i ka marë të dhënat.
Presidenti Joe Biden ka kërkuar të rrisë taksat ndaj të pasurve për të financuar shpenzimet në infrastrukturë dhe programet sociale, përfshirë rritjen e fashës më të lartë të taksës së të ardhurave në 39.6%, nga 37% që është aktualisht. /Scan tv/