Këshilli Drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) miratoi të mërkurën rregulloren e fundit të lidhur me heqjen përfundimtare të tarifave roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Rregullorja “Mbi Zbatimin e Politikës së Përdorimit të Drejtë dhe Metodologjinë e Vlerësimit të Qëndrueshmërisë së Heqjes së Tarifave Roaming me Pakicë me Ballkanin Perëndimor. Parashikon politikat e përdorimit të drejtë për të shmangur përdorimin abuziv apo anormal të shërbimeve të roaming pas datës 1 korrik 2021.
Duke filluar nga muaji i ardhshëm, hyn në fuqi detyrimi për heqjen e të gjitha tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përdoruesit e telefonisë celulare të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës do të mund përdorin shërbimin roaming në rajon me të njëjtat tarifa si në vendin e tyre. Ky proces nisi në mesin e vitit 2019, me uljen e përshkallëzuar të tarifave roaming, deri në heqjen e plotë të tyre, në 1 korrik 2021.
Rregullorja e AKEP përcakton se operatorët celularë duhet të ofrojnë shërbime të rregulluara roaming me pakicë, sipas çmimeve përkatëse brenda vendit për pajtimtarët e tyre, të cilët zakonisht janë rezidentë në Shqipëri, në kohën që ata udhëtojnë në vendet e Ballkanit Përëndimor.
Për qëllime të një politike të përdorimit të drejtë, ofruesi i roaming ka të drejtë të kërkojë nga pajtimtarët e tij roaming të japin prova të qëndrimit apo banimit normal në Shqipëri, ose të lidhjeve të tjera të qëndrueshme me Shqipërinë, që sjell një prani të shpeshtë në territorin e Shqipërisë. Këto rregulla synojnë të shmangin përdorimin e roaming përmes operatorëve shqiptarë prej individëve që nuk janë rezidentë në Shqipëri.
Rregullorja e AKEP përcakton gjithashtu metodologjinë e vlerësimit në rastet kur operatorët celularë mund të kërkojnë zbatimin e një tarife shtesë në roaming. Megjithëse nga korriku, tarifat roaming në Ballkanin Perëndimor do të hiqen, rregullorja lë hapësira që operatorët të mund të kërkojnë vendosjen e tarifave shtesë, në rastet kur ata nuk janë në gjendje të mbulojnë kostot, gjë që sjell si pasojë dëmtimin e qëndrueshmërisë së tarifimit të shërbimeve brenda vendit.
AKEP mund të pranojë vendosjen e një tarife shtesë në roaming vetëm në rastet kur vlera absolute e marzhit neto negativ të shitjes me pakicë të roaming të aplikuesit është e barabartë ose më e madhe se 3% e vlerës së marzhit të tij të shërbimeve celulare. E thënë më thjeshtë, tarifat shtesë mund të vendosen në rastin kur humbjet në roaming tejkalojnë 3% të fitimet nga shërbimet celulare të operatorit aplikues.
Megjithatë, edhe kur provohet një diferencë e tillë, AKEP mund ta refuzojë aplikimin për tarifë roaming shtesë. Kjo mund të ndodhë kur operatori është pjesë e një grupi biznesi dhe ka prova të transferimit të brendshëm të çmimit në favor të filialeve të tjerë të grupit brenda Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në funksion të disbalancave të konsiderueshme të tarifave të shitjes me shumicë të zbatuara brenda grupit.
Gjithashtu, kërkesa për tarifa shtesë do të refuzohet kur shkalla e konkurrencës në tregun brenda vendit krijon hapësira për të përballuar marzhet e reduktuara, ose kur zbatimi i një politike më kufizuese të përdorimit të drejtë do të ulte marzhin neto të shitjes me pakicë në roaming në më pak se 3%.
Gjithashtu, në rrethana të jashtëzakonshme, kur një operator ka një marzh negativ të shërbimeve celulare dhe një marzh neto negativ të shitjes me pakicë të roaming, AKEP do të autorizojë aplikimin e një tarife shtesë për shërbimet e rregulluara të roaming. /Monitor.al/