Shqipëria ndër vendet me normën më të lartë të rënies së popullsisë në moshë pune

Fenomeni i plakjes së popullsisë po ndryshon trendët e punësimit, për shkak të reduktimit të popullsisë në moshë punë (+15) në të gjithë Europën.

Por sipas një studimi Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) Shqipëria ka ndër normat më të larta të rënies së popullsisë në moshë pune si pasojë e emigracionit të lartë dhe fertilitetit të ulët.

Të dhënat tregojnë se gjatë 2014-2020, popullsia në moshë pune shënoi rënie me 2 për qind në Shqipëri. Rënia ishte më e lartë në Serbi me 7.5% dhe në Bosnjë me 4.5%.

Reklama e sponzorizuar

Ritmet e rënies ishin të më të ulëta në Maqedoninë e Veriut me 1.8%, ndërsa në Malin e Zi dhe në Kosovë popullsia në moshë pune erdhi në rritje për të njëjtën periudhë përkatësisht me 0.2 dhe 1.6%.

Sipas RCC-së rënia e popullsisë në moshë pune, po nxitet nga nivele të ulëta të lindshmërisë dhe emigracionit në të gjithë Rajonin.

Rënia e popullsisë në moshe pune në Ballkanin Perëndimor ishte dy herë më e lartë se BE, ku grup-mosha (+15) u reduktua me 1,5% gjatë 2014-2020. Në ato ekonomi ku popullsia në moshë pune është në rënie, sistemet e mbrojtjes sociale janë nën presion për shkak të rritjes së raportit të varësisë për moshën e tretë.

Gjithashtu popullsia në moshe punë në Ballkanin Perëndimor vuan nga shkallë e lartë e inaktivitetit. Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës ishte mesatarisht 59% në Rajon në vitin 2020, shumë poshtë mesatares së BE -së prej 27%.

“Dembelizimi” në Ballkan është tipar i grave, të cilat janë më pak të integruara në tregun e punës dhe moshave të reja.

Pjesëmarrja në forcën e punës së popullsisë në moshë punë ndikohet shumë edhe nga niveli arsimor në Ballkan.

Sa më i ulët niveli arsimor aq më e madhe shkalla e dekurajimit. Duke analizuar forcën e punës sipas nivelit arsimor shihet se 80 % e popullsisë me arsim të lartë merr pjesë në forcën e punës.

Në të kundërt mbi 45 për qind e atyre me arsim fillor nuk kërkojnë punë se, besojnë se nuk ka një të tillë për nivelin e tyre të edukimit.

Vetëm popullsia në moshë pune më arsim të lartë ka nivel pjesëmarrje në forcën e punë në nivel të krahasueshëm me Bashkimin Europian.

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë informalitetin më të lartë të tregut të punës në të gjithë Europën. Shkalla e punësimit informal në Rajonin tonë është në intervalin prej 20-30%, me përjashtim të Shqipërisë, informaliteti në punësim është mbi 40%. /B.Hoxha