Shtrenjtohen banesat në Kosovë, kaq janë çmimet për metër katrorë

Fotografi ilustruese

Vetëm ngritja që ka pasur çmimi i hekurit gjatë muajve të fundit, e ka shtrenjtuar koston e ndërtimit për një metër katror në Kosovë, për rreth 17 euro, thotë Faton Hoxha, kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve në Kosovë. Kjo rritje e kostos së ndërtimit sipas tij, pashmangshëm rrit edhe koston e banimit.

“Kemi ngritje të çmimit të hekurit apo armaturës për afër 100 për qind, çimentos 80 për qind, drurit 60 për qind, pra të gjitha materialet që janë bazë për ndërtim u janë rritur çmimet. Kur të shtojmë edhe transportin, mund të themi që kostoja e ndërtimit është rritur për mbi 20 për qind”, thotë Hoxha. Ai thotë se ka tendencë edhe më tutje të rritjes së kostos së ndërtimit.

Arsyet e rritjes së kostos së ndërtimit, thuhet të jenë shkaktuar për shkak të kërkesës së lartë për ndërtim, që është duke ndodhur pas lirimit të masave si pasojë e pandemisë në mbarë botën, por edhe në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, një arsyeje tjetër, thotë Hoxha, është se disa fabrika kanë punuar me numër të reduktuar të punëtorëve gjatë kohës së pandemisë dhe se prodhimi ka qenë i ulët.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kostoja e ndërtimit në Kosovë ka shënuar rritje për 5.3 për qind në tre mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas ASK-së, ngritje të çmimeve kanë shënuar materialet ndërtimore 7.9 për qind, energjia 5.5 për qind, makineritë 2.7 për qind dhe kostot e tjera 0.6 për qind.

Por, sipas Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, kostoja e ndërtimit ka shënuar rritje për mbi 20 për qind.

Pronari i një kompanie ndërtimore thotë se kostoja e ndërtimit dikton edhe çmimin e banesave, që siç thotë ai, do të jetë shumë më i lartë.

“Deri në 30 për qind do të jetë më e shtrenjtë kostoja e blerjes së banesave, për shkak të ngritjes enorme të çmimeve të materialeve ndërtimore”, thotë ai.

Ai thotë se materialet ndërtimore janë më të shtrenjta në tre mujorin e fundit. Sipas tij, përveç materialit ndërtimor, çmimet janë rritur edhe për fuqinë punëtore, e cila është deficitare, sidomos tek muratorët që janë të inkuadruar drejtpërdrejt në ndërtim.

Kosova është importuese e pothuajse të gjitha materialeve ndërtimore dhe çdo ndryshim i çmimit në botë, ndikon edhe në Kosovë.

“Këto pasoja do të jenë më të mëdha në koston e shitjes dhe blerjes së banesave”, thotë ai.

Çmimet e banesave në Kosovë variojnë nga kompanitë private ndërtimore, që bëjnë shitjen e banesave. Çmimet për një metër katror nisin nga 500 euro e më lartë, varësisht nga lokacioni se ku gjendet banesa.

Sipas të dhënave të regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, e bërë në vitin 2011, numri i banesave është 412, 884. Ndërsa numri i popullsisë është 1,739,825 banorë.

Pas vitit 2011, ndërtimi i banesave në Kosovë ka pasur një hov të madh, por që nuk ka të dhëna për këtë periudhë nga ASK-ja.

Por, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ndër vite ka shënuar rënie numri i anëtarëve në një shtëpi apo banesë të përbashkët.

Derisa në vitin 2014, madhësia mesatare e ekonomive familjare ka qenë 5.62 banorë, në vitin 2019 ka rënë në 4.98 banorë në një familje.

Ai thotë se ngritja e kostos së ndërtimit i ka vënë në një situatë të vështirë sektorin e ndërtimit dhe çmimet e materialeve ndërtimore, që edhe më tutje kanë tendencë të rriten edhe më shumë.

Por, tejkalimin e kësaj situate, shton Selimaj, e shohin tek qytetarët e Kosovës në diasporë, të cilët vijnë në Kosovë dhe blejnë patundshmëri.

“Unë kam shpresë që në këtë vit do të jetë fluksi më i madh i diasporës. Për fat të keq, jemi të varur nga remitencat”, thotë ai.

Remitencat në Kosovë paraqesin kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore. Në vitin e kaluar shuma e këtyre mjeteve kishte arritur deri afër 1 miliard euro.

Një pjesë e madhe e remitencave, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shkojnë për blerje të patundshmërive.