Si mund të ndihmojë në rimëkëmbjen e Evropës, teknologjia dixhitale?

Fondi për rimëkëmbjen e BE-së parashikon 134.5 miliardë euro të cilat do të përdoren për dixhitalizimin, por a do të jetë i mjaftueshëm për ta bërë Europën lider global, që të konkurrojë me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën?

Teknologjia dixhitale po ndryshon mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Pandemia dhe kufizimet treguan se sa shumë varemi prej saj, nga puna në distancë te konsultat mjekësore online e deri te video-thirrjet me familjen dhe miqtë. Pandemia theksoi edhe hendekun midis njerëzve të pasur dhe të varfër.

Më shumë se 40% e europianëve nuk kanë aftësi bazë dixhitale dhe thuajse një e katërta e shtëpive nuk kanë lidhje me internet. Më pak se 20% e SME-ve (Sipërmarrje të Vogla e të Mesme) përdorin shërbimet cloud në internet, ose e përdorin internetin për të shitur produktet apo shërbimet e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Tranzicioni dixhital në Europë, ku jemi tani?

Në vitin 2020, Komisioni Europian publikoi rezultatet e “Digital Economy and Society Index” (DESI), që tregojnë ecurinë e përgjithshme dixhitale në Europë dhe gjurmojnë progresin në konkurrueshmërinë dixhitale në vendet e BE-së.

  • Finlanda, Gjermania dhe Hungaria janë më të avancuara në gatishmërinë ndaj rrjetit 5G
  • 17 vende anëtare janë tashmë të lidhura me rrjetin 5G
  • 22% e familjeve nuk kishin një abonim në internetin me brez të gjerë në 2019
  • Vetëm 32.5% e kompanive të mëdha përdorin analitikën ‘big data’
  • Rrjetet 4G mbulojnë thuajse të gjithë popullsinë europiane
  • Përdorimi i video-thirrjeve është rritur nga 49% në 2018 në 60% në 2019
  • Vetëm 18% të specialistëve të TIK janë gra
  • 42% të popullsisë së BE-së u mungojnë ende aftësitë bazë dixhitale

Në ç’mënyrë, fondet e rimëkëmbjes së BE-së po e ndihmojnë tranzicionin dixhital të Europës?

Tranzicioni drejt një bote dixhitale është element kyç në planin e BE-së për rimëkëmbjen nga pandemia. Në zemër të planit është instrumenti i rimëkëmbjes dhe qëndrueshmërisë prej 672.5 miliardë eurosh, që do të përdoret për investime publike dhe reforma. Për të përfituar, shtetet anëtare kanë paraqitur plane kombëtare për rimëkëmbjen, të cilat parashikojnë 20% të parave në nisma për dixhitalizimin e ekonomive të tyre.

Për t’u siguruar që të gjithë do të përfitojnë, BE kërkon të shohë investime në internetin me brez të gjerë ultra të shpejtë, formimin e njerëzve me aftësi dixhitale, ndihmesën e startup-eve dhe sipërmarrjeve të vogla që të rriten dhe të sjellin inovacion, dhe përdorimin e teknologjisë për të zvogëluar ndikimin te klima.

Pse është kaq i rëndësishëm investimi në tranzicionin dixhital?

Paolo Gentiloni, Komisioneri europian për Ekonominë thotë se, ashtu si në SHBA, synimi në Europë është ai i “ndërtimit sërish mirë” pas pandemisë dhe se shqetësimet mbi dixhitalizimin përfshijnë “gjithë sektorët e ekonomisë sonë”.

“Ju mund të përmirësoni, nëpërmjet teknologjisë dixhitale, punën e administratës publike, funksionimin e sistemit shëndetësor, punën dhe konkurrueshmërinë e kompanive. Kjo është forca e investimeve në teknologjinë dixhitale, që mund të ndikojnë në gjithë ekonominë tonë”.

Pandemia tregoi se si problemet e lidhjes me internetin përkeqësuan pabarazitë sociale, si për shembull në mësimin nga shtëpia të fëmijëve dhe të rinjve. “Kjo natyrisht është e papranueshme, – thotë Gentiloni, duke shtuar se – duhet të përfitojmë nga mundësia për të reduktuar apo për të eliminuar ‘digital divide’. O tani, o kurrë”.

 Ecuria dixhitale në vendet e BE-së

Në vitin e fundit, gjithë vendet anëtare të BE-së përmirësuan performancën dixhitale. Performanca dixhitale përbëhet nga pesë aspekte kryesore:

  • Lidhja me internet: zhvillimi i infrastrukturave të internetit me brez të gjerë dhe cilësia e tyre
  • Kapitali njerëzor: aftësitë e nevojshme për të shfrytëzuar mundësitë që ofrohen nga një shoqëri dixhitale
  • Përdorimi i internetit nga qytetarët: larmishmëria e aktiviteteve që zhvillohen nga qytetarët online
  • Integrimi i teknologjisë dixhitale: dixhitalizimi i sipërmarrjeve dhe zhvillimi i kanaleve të shitjes online
  • Shërbimet publicitare dixhitale: dixhitalizimi i shërbimeve publike, me vëmendje të veçantë te eGovernment

Konkurrueshmëria europiane

Fondi për rimëkëmbjen e BE-së parashikon 134.5 miliardë euro të cilat do të përdoren për dixhitalizimin, por a do të jetë i mjaftueshëm për ta bërë Europën lider global, që të konkurrojë me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën?

Katrine Forsberg, anëtare e këshillit për zhvillimin e sipërmarrjeve në Danimarkë, beson se BE mund të konkurrojë në nivel global, pasi ka infrastruktura dhe kompetenca të mjaftueshme. Çfarë është e rëndësishme – thotë ajo – janë investimet në Sipërmarrjet e Vogla dhe të Mesme për të krijuar vende pune dhe për të rritur sipërmarrjet”.

Burimi: Euronews