Studimi: 4 arsye pse java e punës duhet të ketë 4 ditë

Shkurtimi i javës së punës, duke mos ulur pagën, u jep punonjësve një pushim shumë të nevojshëm – veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19.

Verën e kaluar, Mike Melillo, CEO i The Wanderlust Group, një kompani teknologjike me seli në New England, vuri re se puna në distancë gjatë pandemisë së koronavirusit po i shkaktonte dëm atij dhe 44 punonjësve. “Isha i vetëdijshëm se sa ngarkesë mendore do të na krijohej të gjithëve duke qenë në kontakt gjatë gjithë kohës”, tha Melillo.

Në maj, ai mori vendimin për ta bërë të hënën ditë pushimi për të gjithë punonjësit dhe mbi të gjitha pa ua ulur atyre pagat. Ai vendosi për të hënën, duke qenë se kjo është dita më e mirë për të përfituar në New England pasi ka më pak turistë.

Reklama e sponzorizuar

“Vendosa që ta provoj për tre muaj dhe të shohim se si do të shkojë. Në përfundim rezultoi se ne kishim muajt më të mirë [në të ardhura p.sh.]. Lumturia e ekipit dhe familjeve u rritën në mënyrë të konsiderueshme” – tha ai.

Si rezultat, për Grupin Wanderlust, java e punës ka vetëm 4 ditë. Sipas faqes së internetit ZipRecruiter, pjesa e njoftimeve për punë me një javë 4-ditore është katërfishuar gjatë pesë viteve të fundit, nga 14 për 10,000 vende pune në 62 për 10,000 në vitin 2020. Sektorët më të zakonshëm që ofrojnë javë pune me katër ditë në ZipRecruiter janë shitjet, tregtia me pakicë dhe kujdesi shëndetësor.

Megjithëse javët e punës më katër ditë janë ende të rralla në Shtetet e Bashkuara, ideja është më pak e rrallë diku tjetër. Majin e kaluar, Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, rekomandoi që punëdhënësit të punojnë vetëm 4 ditë/javë, për të rritur turizmin e brendshëm dhe për të kompensuar humbjet nga pandemia. Në fillim të këtij viti, qeveria spanjolle miratoi një program pilot trevjeçar për të ndihmuar kompanitë të bëjnë kalimin, duke përmendur besimin se të punosh më shumë orë nuk do të thotë domosdoshmërisht të kesh rezultate më të mira. Politikanët në Rusi dhe Britani po mendojnë të hartojnë ligje për të bërë të njëjtën gjë.

Megjithëse skepticizmi dhe inercia mund të pengojnë bizneset, ekziston një numër i madh studimesh që thotë se nga heqja e ditës së pestë të punës mund të përfitojnë si punonjësit ashtu edhe bizneset. Ja se si një ditë pune më pak mund t’i ndihmojë të gjithë:

 

1. Punonjësit bëhen më produktivë

Marrja pjesë në shumë takime është humbja më e madhe e kohës sipas citimeve të punonjësve në anketa. Kur keni më pak orë në javë për të kryer punën, kjo mund t’i shtyjë organizatat të përmirësojnë proceset dhe t’u japë leje punonjësve që mbledhjen e mëngjesit ta bëjnë me email. Kjo është ajo që ndodhi në Grupin Wanderlust, tha Melillo. “Shumë njerëz po përdornin takimin e së hënës në mëngjes për të planifikuar javën e tyre dhe për t’u koordinuar ….”.

Bizneset e tjera që shkurtuan javën e punës kanë raportuar gjithashtu rritje të efikasitetit. Në gusht 2019, Microsoft në Japoni testoi një javë pune katërditore duke mos e ulur pagën dhe kjo rezultoi në një rritje prej 40% të shitjeve për punonjës krahasuar me verën e kaluar. Shumica dërrmuese e punonjësve thanë se ishin të kënaqur me ndryshimin.

 

2. Njoftimet e vendeve të lira të punës (ku java e punës është me katër ditë), marrin më shumë aplikime

Fleksibiliteti i një jave më të shkurtër pune është një përfitim i rëndësishëm që punëkërkuesit dëshirojnë në mënyrë aktive. Julia Pollak, ekonomiste në ZipRecruiter, zbuloi se mesatarisht, njoftimet për punë që ofrojnë një javë pune me katër ditë marrin 15% më shumë aplikime sesa njoftimet e tjera në të njëjtat industri, sipas të dhënave të kompanisë që nga viti 2018 deri tani.

Sipas studimit të Universitetit të Reading, 63% e punëdhënësve në Mbretërinë e Bashkuar ku java e punës është me katër ditë, u shprehën se përfitimi ka qenë shumë i madh, sepse i ka ndihmuar ata që të tërheqin profesionistët më të mirë dhe njëkohësisht t’i mbajnë ata si pjesë e kompanisë për shumë gjatë.

 

3. Nëse punoni më pak, i vini në ndihmë dhe mjedisit

Përveç ndihmës për bizneset, të punuarit më pak mund të ndihmojë edhe Tokën. Një analizë e vitit 2012 nga Universiteti i Masaçusets, Amherst, argumentoi që të punosh më pak orë është e mirë për mjedisin. “Vendet me orë pune më të shkurtra kanë tendencë të kenë më pak ndotje ekologjike, gjurmë karboni dhe emetime të dioksidit të karbonit”, shkruajnë studiuesit, duke përmendur më pak udhëtime për të shkuar në punë dhe një nevojë më të ulët për konsum të energjisë.

Ata vlerësojnë se puna një ditë më pak në javë mund të zvogëlojë gjurmën e karbonit me më shumë se 30%. Kursimi i energjisë ishte gjithashtu i dukshëm. Testi i Microsoft në Japoni zbuloi se duke punuar një ditë më pak në javë, përdorimi i energjisë elektrike në zyrë ra me 23% dhe printimi u ul me 59%.

 

4. Fleksibiliteti i ndihmon njerëzit të gjejnë ekuilibrin punë-jetë.

Përveç përfitimeve të larta që i jep një dite pune më pak në javë një kompanie të caktuar, avantazhet e saj janë shumë të mëdha edhe në drejtim të përfitimeve psikologjike për punonjësit. Olivia Hennedy, një punonjëse e markës Dockwa të Grupit Wanderlust, tha se para kalimit në një javë pune me katër ditë, puna nga shtëpia e lodhte atë. Dita shtesë e pushimit ka qenë në të vërtetë një burim energjie. “Një ditë shtesë, qoftë për të bërë disa punë ose për të dalë jashtë apo për të pushuar, e ka përmirësuar vërtet shëndetin tim mendor dhe sigurisht është pasqyruar në punën time,” tha ajo.

Duke mos ditur se si do të jetë ecuria e pandemisë COVID-19 që shkakton rraskapitje të punonjësve, koha e pushimit dhe e rikuperimit është më e çmuar se kurrë. Z. Melillo mendon se javët e punës me katër ditë do të shndërrohen në diçka më se të zakonshme. /*Monica Torres, Huffington Post