Trainkos i shiti naftë rreth 19 mijë euro Infrakos-it

Ndërmarrja publike për hekurudhat e Kosovës-‘Trainkos’, gjatë vitit 2020 i kishte shitur naftë jashtë statutit të saj, ndërmarrjes tjetër simotër ‘Infrakos’, me një shumë prej 18 mijë e 854 eurove.

Përveç kësaj, kjo ndërmarrje ia kishte shitur naftën Infrakos-it me çmimin e furnizimit të vet, pa aplikuar ndonjë tarifë tjetër shtesë për kostot e ruajtjes, magazinimit dhe sigurimit në rezervuarët e saj.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj të publikuar së fundmi rreth të hyrave të ndërmarrjes Trainkos, vë në pah se ofrimi i shërbimeve si shitja e naftës është jashtë fushëveprimtarisë dhe aktiviteteve të ndërmarrjes.

Reklama e sponzorizuar

“Shitjen e naftës Trainkos e kishte bërë duke u bazuar në marrëveshjen për shërbime të përbashkëta mes Trainkos dhe Infrakos sh.a të datës 16.04.2019”, përshkruhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Sipas Auditorit, Trainkos në statutin e saj i ka të përcaktuara aktivitetet e saj prej të cilave gjeneron të hyra, siç janë nga menaxhimi, operimi dhe ofrimi i shërbimeve për transportin e udhëtarëve dhe mallrave, si dhe nga ofrimi i shërbimeve të mirëmbajtjes dhe renovimit të të gjitha mjeteve lëvizëse për insitucionet e tjera jashtë hekurudhës.

Por, të hyrat prej gati 19 mijë eurove nga nafta e shitur, Trainkos i kishte realizuar jashtë kornizës statutore të saj, gjë që rrezikon ndërmarrjen të sanksionohet edhe nga autoritetet kompetente për mbikëqyrjen e tregut, përcjell Buletini Ekonomik.

Zhvillimi i aktiviteteve të papërfshira në statut dhe pa ndonjë përfitim ekonomik, sipas Auditorit, ndikon direkt në zvogëlimin e vëmendjes në fushat kryesore ku gjenerohen të hyrat dhe në kostot tjera shtesë të panevojshme.

ZKA-ja i rekomandon Bordit të drejtorëve të Trainkos-it që të sigurojnë se ofrimi i shërbimeve bëhet vetëm për ato veprimtari, të cilat janë të përcaktuara me statut dhe të njëjtit duhet të ndërmarrin masat e duhura për ndërprerjen e shitjes së naftës te palët tjera.

“Po ashtu, të rishikojë marrëveshjen me Infrakos sh.a. duke i përjashtuar të gjitha ato punë dhe shërbime që mund të ofrohen direkt nga operatorët tjerë ekonomik dhe që nuk janë veprimtari statutore e ndërmarrjes”, përfundon rekomandimi i ZKA-së për Trainkos-in. /Buletini Ekonomik/