Treguesi i ndjesisë ekonomike në Eurozonë -Niveli më i lartë në 21 vite

Treguesi i ndjesisë ekonomike në Eurozonë është rritur në nivelin më të lartë në 21 vite gjatë Qershorit, ndërkohë që përshpejtimi i ritmit të vaksinimit ndaj Covid ka sjellë rihapje të ekonomisë  dhe përmirësimin e humorit në të gjithë sektorët, kryesisht shitjet me pakicë dhe shërbimet.

Sondazhi mujor i Komisionit Europian mbi ndjesinë ekonomike për 19 vendet që ndajnë euron, tregoi se optimizmi është rritur në 117.9 pikë në Qershor nga 114.5 pikë në Maj, duke thyer projeksionet e analistëve.

Treguesi ishte shumë më i lartë tek shërbimet, që është sektori më i madh i Eurozonës, përgjegjës për  2/3 e Produktit të Brendshëm Bruto.

Reklama e sponzorizuar

Nën indeksi u rrit në 17.9 pikë nga 11.3 që ishte në Maj.  Treguesi i humorit për shitjet me pakicë, u rrit në 4.5 nga 0.5 që ishte në Maj.  Optimizmi në industri, ndërtim dhe tek konsumatorët, u rrit gjithashtu, por me ritëm më të ngadaltë.

Treguesi i ndjesisë ekonomike për Gjermaninë shënoi nivelin më të lartë të të gjitha kohërave , ndërkohë që është përmirësuar në 6 ekonomitë më të mëdha të BE, përveç Spanjës, ku ra lehtë.

Sipas sondazhit, konsumatorët presin inflacion më të lartë në 12 muajt e ardhshme, me treguesin në nivelin më të lartë në 13 muaj ./SCAN TV/